Çfarë është efekti aureolë të cilin e përjetoni në përditshmëri

0
104

Çfarë është efekti aureolë?

Situatë: Jeni në punë dhe shefi ju pyet nëse bashkëpunëtori juaj, Dejvi, do të ishte një udhëheqës i mirë i ekipit për një projekt të ardhshëm. Ju nuk e njihni mirë Dejvin, por e konsideroni atë një person të gjatë dhe tërheqës. Pra, automatikisht thoni po.

Kjo sepse mendimet pozitive për pamjen e Dejvit ndikojnë në mënyrën se si mendoni për të në terma të tjerë pozitivë. Këto përfshijnë udhëheqjen dhe inteligjencën. Ju në mënyrë të pavetëdijshme i formoni këto mendime pavarësisht nga fakti që nuk e dini nëse Dejvi do të jetë në të vërtetë një lider i mirë i ekipit.

Keni dëgjuar që përshtypjet e para kanë rëndësi. Shembulli i mësipërm ilustron se si mund të funksionojë efekti aureolë, një term i psikologjisë që përshkruan një gabim në arsyetim bazuar në një tipar të vetëm që njihni për një person ose diçka tjetër.

Kjo mund të funksionojë pozitivisht ose negativisht në favor të një personi tjetër dhe mund të zbatohet në situata të shumta. Me pak fjalë, tipari negativ ose pozitiv i perceptuar i një personi krijon një “aureolë” të një përshtypjeje të përgjithshme për të njëjtin person.

Historiku

Termi “efekti aureolë” u krijua në vitin 1920 nga Edward L. Thorndike, një psikolog amerikan. Termi bazohet te vëzhgimet e Thorndike për oficerët ushtarakë gjatë eksperimenteve që përfshinin burrat që “renditnin” vartësit e tyre.

Para se oficerët të komunikonin me vartësit, Thorndike u kërkoi eprorëve që t’i renditnin bazuar te tiparet e karakterit. Këto përfshinin aftësinë drejtuese dhe inteligjencën. Bazuar te rezultatet, Thorndike vuri në dukje se tiparet pozitive dhe negative të formuara nga oficerët bazoheshin në tipare që kishin të bënin me përshtypjet fizike.

Për shembull, një njeri i gjatë dhe tërheqës u perceptua si më inteligjenti. Ai gjithashtu u rendit si përgjithësisht “më i mirë” se të tjerët. Thorndike zbuloi se paraqitjet fizike janë më me ndikim në përcaktimin e përshtypjeve tona të përgjithshme për karakterin e një personi tjetër.

Teoria

Baza e përgjithshme e teorisë së Thorndike është se njerëzit priren të krijojnë një përshtypje të përgjithshme të personalitetit ose karakteristikave të dikujt bazuar në një tipar që s’ka lidhje me ta. Kjo mund të rezultojë në perceptime pozitive ose negative.

Puna e Thorndike u përpunua nga një tjetër psikolog, Solomon Asch. Teoria e tij tregon se mënyra se si njerëzit formojnë mendime, ose mbiemra, për të tjerët varet shumë nga përshtypja e parë.

Efekti aureolë në jetën e përditshme

Efekti aureolë mund të jetë një term i ri për ju, megjithatë ai është i pranishëm në pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme. Këto përfshijnë situata në lidhje me njerëzit që i shihni si tërheqës, vendin e punës, shkollën, mënyrën si i përgjigjeni fushatave të marketingut, mjekësisë, kujdesit shëndetësor etj.

Të konsideruarit dikë si tërheqës

Meqenëse efekti aureolë bazohet kryesisht në përshtypjet e para dhe pamjen fizike, ka kuptim që teoria mund të ndikojë në tërheqjen tonë për njerëzit e tjerë. Fraza e ekzagjeruar, “dashuri me shikim të parë”, për shembull, shpesh ka të bëjë me një pamje fizike pozitive që gjithashtu mund t’ju bëjë të besoni gjëra të tjera pozitive për atë person.

Situatat e punës

Efekti aureolë vepron edhe në vendet e punës, gjithashtu. Mund të supozoni se një bashkëpunëtor i veshur në mënyrë serioze ka një etikë të mirë pune. Në anën tjetër, një bashkëpunëtor tjetër me veshje të rastësishme mund të gjykohet se nuk ka të njëjtën etikë pune, ndonëse kjo mund të jetë plotësisht e pavërtetë.

Marketingu

Nuk është sekret që tregtarët përdorin metoda të gjera për të “manipuluar” konsumatorë në mënyrë që të blejnë produktet ose shërbimet e tyre. Ata madje mund të përdorin efektin aureolë. Për shembull, a e keni kuptuar që ju tërheq më shumë një produkt ose shërbim sepse një njeri i famshëm, të cilin e pëlqeni, e “miraton” atë? Ndjenjat pozitive në lidhje me këtë njeri të famshëm mund t’ju bëjë që ta perceptoni gjithçka me të cilën lidhet ai si pozitive.

Mjekësi

Fatkeqësisht, efekti aureolë mund të jetë i pranishëm edhe në fushën e mjekësisë. Një mjek, për shembull, mund të gjykojë një pacient bazuar te paraqitjen e tij pa kryer më parë teste. Për shembull, një mjek mund të mendojë gabimisht se dikush që ka një peshë të rregullt trupore si njeri me shëndet të shkëlqyer, kur në fakt mund të mos jetë kështu.

A mund ta kuptosh efektin aureolë?

Duke pasur parasysh shkallën që ka efekti aureolë në jetën tonë, mund të jetë e vështirë të dallohen paragjykimet nga faktet. Por mund të punoni në mënyrë aktive për të ulur mendime subjektive duke vepruar në mënyrë objektive.

Burimet: Healthline, WebMD