Çfarë është Buda, pse është në vendin e katërt tek 100 më të shquarit e historisë

0
696

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

 OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit:

Nr IV

Buda

   563-483 p.e.s.

Buda, emri i vërtetë i të cilit është budizmi, një nga fetë më të përhapura në botë. Sidharta ishte djali i mbretit me qendër në Kapillavastu, qytet në verilindje të Indisë, në kufi me Nepalin. Vet Sidharta (nga gjinia e Gautamës dhe fisi Sakija) mendohet se është lindur në vitin 563 në Llumbini (në kufijtë e tanishëm të Nepalit).

Në moshën 16 vjeçare u martua me një bashkëmoshatare, që ishte kushërira e tij.

I rritur në një pallat mbretëror, ai gëzon te të gjitha lukset dhe të mirat materiale të pallatit, megjithatë ishte mjaft i pakënaqur, pasi shumica e njerëzve vuanin nga varfëria.

Ai kishte vënë re se shpesh edhe të pasurit ishin të pakënaqur nga jeta, se dhe ata do të vdisnin. 

“Në një farë mënyre, të gjithë ishin përfshirë edhe nga sëmundje të ndryshme që i shpinin drejt vdekjes së sigurt. “Në jetë sigurisht, ka diçka më tepër se kënaqësitë e përkohshme, që vuajtjet dhe vdekjet i shuajnë shumë shpejt”-mendonte Sidharta.

Në moshën 21-vjeçare,menjëherë pasi i lind djali i parë Gautama vendosi të tërhiqej nga jeta e përditshme e oborrit dhe t’i kushtohej tërësisht kërkimit të së vërtetës. La pallatin, gruan, djalin e vogël dhe të gjitha të mirat materiale dhe filloi të bëhej endacak pa një grosh në xhep.

Për një kohë, ai kishte marrë mësim nga mësues shumë të dëgjuar brahmanë, por kishte mbetur i pakënaqur nga zgjidhjet që u jepnin ata vuajtjeve njerëzore.

Atëherë ai kishte arritur në përfundimin se asketizmi i plotë ishte e vetmja rrugë drejt urtësisë së vërtetë.

Ndaj u bë asket, duke kaluar për disa vite me radhë një jetë tmerrësisht, të mundimshme. Por, më së fundi e kuptoi, se trupi i munduar e mugëllonte mendjen, nuk e drejtonte drejt urtësisë. Kjo, e detyroi që ta linte jetën e asketit dhe të fillonte të hante përsëri.

Në vetmi filloi të merret fuqimisht me problemet e ndjenjat njerëzore. Kur po rrinte një mbrëmje nën një fik të madh, papritur, i tërë mozaiku i mendimeve të tij u sistemua. Tërë natën Sidharta e kaloi në mendime të thella.

Të nesërmen në mëngjes, kishte arritur në bindjen e plotë, se ai ishte Buda(që do të thotë shenjtor).

Kjo i ndodhi kur ishte 35 vjeç. Në 45 vitet e mbetura nga jeta, ai i ra kryq e tërthorë Indisë Veriore duke predikuar doktrinën e tij të re. Kur vdiq në vitin 483 p.e.s., numri i ithtarëve të tij kishte arritur në mijëra. Edhe pse predikimet e tij nuk ishin të shkruara, ato u trashëguan gojarisht brez pas brezi.

Mesazhet bazë të Budës shkurtimisht mund të shprehen përmes katër të vërtetave fisnike” siç i quajnë budistët: së pari,  jeta njerëzore në parim është e pakënaqshme, e pafat; së dyti, shkaku për këtë pakënaqësi është egoizmi njerëzor dhe pangopësia; së treti, egoizmi dhe pangopësia e çdo njeriu merr fund, kur gjithë dëshirat dhe synimet e tij zhduken (kjo quhet nirvana-shuarje);së katërti, mënyra më e mirë për t’u larguar nga egoizmi dhe pangopësia është rruga e oktapodit (tetëkëmbëshit);vëzhgime të drejta, mendime të drejta, fjalë e drejtë, veprimtari të drejta, ushqim i rregullt, përpjekje të drejta, shqetësim i rregullt dhe ëndërrime të drejta.

Mund të themi që budizmi është i hapur për të gjithë, pavarësisht nga raca. Në ndryshim nga hinduizmi, ai nuk njeh dallimet midis kastave.

Pas vdekjes së Gautamës, feja e Budizmit u përhap shumë.

Në shekullin III p.e.s., perandori i famshëm Indian, Ashoka, e pranoi fenë e Budizmit, gjë që solli përhapjen dhe ndikimin e madh të saj në Indi dhe vendet fqinje.

Në jug,budizmi u përhap në Cejlon (Sri Lanka),ndërsa në lindje, në Burma (Mjanmar).Që andej hyri në gjithë Azinë juglindore, arriti në Malajzi e deri në Indonezinë e sotme. Në veri mori rrugën deri në Tibet dhe ne veriperëndim deri ne Afganistan dhe Azinë e mesme. Arriti në Kinë, ku u përfshinë shumë ithtarë dhe që andej hyri në Kore e Japoni.

Në Indi, gjatë 500 vjetëve ndikimi i fesë budiste filli të binte ndërsa në vitin 1200,pothuajse u shua. Nga ana tjetër, në Kinë dhe Japoni, kjo ka mbetur si një nga fetë bazë, ndërsa në Tibet dhe në Azinë juglindore ajo është feja kryesore gjatë shumë shekujve.

Doktrina e budizmit, tashmë mezi ka mbetur si gjurmë. Ithtarët e saj janë të shpërndarë në sekte të ndryshme. Dy drejtimet kryesore të budizmit janë: Hinajana, që mbizotëroi në Azinë jugore, ndërsa shkencëtarët perëndimorë, këtë drejtim e vlerësojnë si më afër mësimeve të para të Budës dhe Mahajana,që mbizotëroi në Tibet, Kinë dhe Azinë veriore. Si krijues i një feje nga më të përhapurat në botë, Buda Meriton dukshëm një nga vendet e para në libër.

Duke qenë se në botë ka mbi 200 milionë budistë në krahasim me mbi 500 milionë myslimanë dhe rreth 1 miliardë të krishterë është e qartë se Buda ka patur ndikimin e vet në më pak njerëz se Muhamedi dhe Jezusi. Megjithatë, ndryshimi në rënie i numrit të ithtarëve të budizmit është shfaqja e induizmit në Indi, që ka pranuar shumë ide dhe parime të budizmit. Veç kësaj, në Kinë ka shumë njerëz që nuk e quajnë veten budistë, por që janë nën një ndikim të fuqishëm të kësaj filozofie.

Budizmi përmban një element të fuqishëm paqesjellës në një masë shumë më të madhe se kristianizmi dhe islamizmi. Orientimi drejt mospërdorimit të forcës, ka luajtur rol të madh në historinë politike të vendeve budiste.

Shpesh thuhet, në qoftë se Krishti do të kthehet në tokë. Do të mbetet i befasuar për shumë ngjarje që kanë ndodhur nën emrin e tij dhe i dëshpëruar nga betejat gjakderdhëse midis sekteve të ndryshme që quheshin trashëgimtarë të tij.

Gjithashtu, edhe Buda do të mbetej i befasuar nga doktrinat e shumta, që kanë pretenduar se kanë qenë budiste.

Por, në qoftë se ekzistojnë sekte udiste midis tyre ka ndryshime të mëdha, në historinë njerëzore nuk ka asnjë ngjarje që të renditet në përgjithësi me luftërat gjakatare që kanë ndodhur në Evropën kristiane. Së paku,në këtë aspekt, filozofia budiste ka patur ndikim shumë më të madh tek ithtarët e vet, se kristianizmi te të vetët.

Buda dhe Konfuci kanë patur një ndikim të përafërt lidhur me botën. Të dy, pak a shumë, kanë jetuar në një kohë dhe ndryshimi i numrit të ithtarëve të tyre nuk është i madh. Vendosa që Budën ta ve përpara Konfucit për dy arsye: së pari, futja e komunizmit në Kinë, e dobësoi dukshëm ndikimin konfucian; së dyti, mospërhapja gjerë e konfucizmit jashtë Kinës, tregon se idetë e tij u përgjigjen më mirë vetëm mentalitetit të pastër kinez.

Nga ana tjetër, doktrina e budizmit nuk është paraqitja vetëm e filozofisë së vjetër indiane, por falë pikëpamjeve të Budës dhe mësimeve të tij, budizmi u përhap larg, në anën tjetër të kufijve të Indisë.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, i pesti me radhë është Konfuci