Certifikatat e Covid mund të jenë sa të rëndësishme aq edhe të rrezikshme

0
101

Certifikatat e Covid – që mund t’u lejojnë njerëzve të vaksinuar ose atyre që janë shëruar nga virusi që të udhëtojnë ose të marrin pjesë në një ngjarje të caktuar – mund të bëjnë mirë, por edhe të shkaktojnë dëm, kanë paralajmëruar këshilltarët shkencorë në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto certifikata mund të inkurajojnë njerëzit që të vaksinohen, por në të njëjtën kohë, mund të ndikojnë që shumë njerëz të infektohen qëllimisht në mënyrë që të testohen pozitivisht për antitrupa dhe të marrin certifikatën që u mundëson të lëvizin lirshëm.

Certifikatat e imunitetit janë dokumente zyrtare që vërtetojnë se një individ është infektuar më parë dhe është imun ndaj SARS-CoV-2. Certifikatat e vaksinimit tregojnë se një individ ka kryer një prej vaksinave të Covid.

Ekspertët thonë gjithashtu se certifikatat, ashtu si pasaportat e vaksinave, mund të inkurajojnë njerëzit të sillen sikur nuk janë më të rrezikuar, duke mos respektuar masat anti-Covid.

Punimi, i cili nuk është shqyrtuar ende nga kolegët, është shkruar nga një grup prej tetë psikologësh dhe shkencëtarësh të sjelljes, ku të gjithë, përveç njërit, marrin pjesë në organin këshillues qeveritar për pandeminë i njohur si Grupi i Vështrimeve Pandemike Shkencore mbi Sjelljet (SPI-B).

Izraeli ka prezantuar një aplikacion “green pass” për të lejuar ata që janë vaksinuar të shkojnë në koncerte dhe teatër, ndërsa BE ka njoftuar një skemë të ngjashme që do të lejojë ata që janë shëruar nga Covid-19 ose janë vaksinuar që të udhëtojnë midis shteteve anëtare.

Burimet: Guardian, Gavi – The Vaccine Alliance