Ç’do të thotë nëse një vaksinë është 90% efektive?

0
104

Që prej daljes së vaksinave të para, ka ekzistuar një paqartësi në lidhje me efikasitetin e tyre. Ç’do të thotë që një vaksinë është 90% efektive?

“Imagjinoni se 100 njerëz janë të sëmurë me Covid-19. Efikasiteti 90% do të thotë që nëse ata do të ishin vaksinuar, mesatarisht vetëm 10 do të ishin sëmurë,” shpjegon për Guardian David Spiegelhalter, kryetar i Qendrës Winton për Rrezikun dhe Komunikimin e Provave në Cambridge.

“Efikasiteti i vaksinës është zvogëlimi relativ i rrezikut: Cilido qoftë rreziku juaj më parë, zvogëlohet me 90% nëse vaksinoheni. Ekzistojnë shumë paqartësi në lidhje me këtë numër: kjo nuk do të thotë se keni 10% mundësi për të marrë Covid-19 nëse vaksinoheni – është masivisht më e ulët se 10%,” shton ai.

“Studiuesit vlerësojnë efikasitetin duke krahasuar numrat e rasteve të reja te njerëz të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Të gjithë vullnetarët marrin një injeksion, por, në mënyrë të rastësishme, ose vaksinën aktuale ose një placebo. Ata nuk e dinë se cilin po marrin.”

Shën.red. Placebo – një substancë ose trajtim i krijuar që të mos ketë vlerë terapeutike.

Për të shpjeguar më mirë se si përcaktohet efikasiteti i vaksinave, Spiegelhalter mori shembullin e hulumtimeve për vaksinën e Pfizer/BioNTech: “Në provën e vaksinave Pfizer/BioNTech, pati tetë raste me njerëz të infektuar në 22,000 njerëz që morën vaksinën e vërtetë, krahasuar me 162 raste në 22,000 njerëz që morën placebo. Studiuesit caktuan njerëz në mënyrë të rastësishme, kështu që mund të jemi të sigurt se vaksina shkaktoi këtë ndryshim.Meqenëse 8/162 = 5%, efikasiteti i vaksinës vlerësohet si 95%.”

Në vijim të shpjegimit të tij, Spiegelhalter theksoi se “provat nuk u përqendruan te vlerësimi i efikasitetit në parandalimin e sëmundjes së rëndë dhe vdekjeve”, megjithatë “të dhënat sugjerojnë që efikasiteti mund të jetë edhe më i lartë për këto rezultate më serioze”.