Cardiff dhe Nantes vazhdojnë betejën për Sala

0
46

Cardiff City dëshiron që të fillojë bisedime të drejtpërdrejta me Nantesin, në tentim për ta zgjidhur mosmarrëveshjen për shumën prej 17 milionë eurove për transferimin e Emiliano Salas, i cili vdiq në një aksident ajror në janar.

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, u ka dhënë klubeve afat kohor deri më 15 prill për ta zgjidhur këtë problem, pasi Cardiffi nuk e kishte bërë pagesën e parë për transferimin e argjentinasit.

FIFA fillimisht kishte kërkuar për më shumë prova, para se ta marrë vendimin përfundimtar për këtë çështje. Megjithatë, Cardiffi pretendon se Nantesi nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për ta aranzhuar një takim.

“Cardiff City ka kërkuar dhe e ka fituar zgjatjen e afatit kohor për t’i dhënë përgjigje FIFA për këtë çështje. Së fundi, Cardiff City i ka shkruar Nantesit, duke ia propozuar një takim për t’i diskutuar problemet lidhur me tragjedinë e Emiliano Salas e transferimit të planifikuar”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi anglez.

“Ky propozim është në të njëjtën vijë me kërkesën e FIFA-s që të dy klubet ta gjejnë një zgjidhje sa më shpejt. Deri më tani, Cardiff City nuk ka marrë përgjigje nga Nantesi”.

Cardiffi pretendon se marrëveshja e arritur me Nantesin për transferimin e Salas nuk ishte ligjërisht obliguese. Ata thonë se kushtet e kontratës, të cilat ishin caktuar nga klubi francez, nuk ishin kompletuar plotësisht.

Në anën tjetër, Nantes pretendon se i ka kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se gjithçka ka qenë në pajtueshmëri me rregullat e FIFA-s.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se ai po shpreson se dy klubet në fjale do ta arrijnë ndonjë marrëveshje mes vete, pa pasur nevojë të ndërhyjë një palë e tretë.

Sala, 28-vjeçar, u zyrtarizua si lojtar i ri i Cardiff Cityt më 19 janar. Vetëm dy ditë më vonë, ai vdiq në një aksident ajror, pasi aeroplani me të cilin po udhëtonte nga Nantesi në Cardiff u rrëzua mbi Kanalin Anglez.

Aeroplani ishte drejtuar nga piloti David Ibbotson, i cili është ende i zhdukur. BBC-ja ka raportuar se Ibboston nuk kishte qenë i licencuar për ta drejtuar atë aeroplan. Ai besohet se kishte daltonist dhe licenca e tij ishte e kufizuar vetëm gjatë ditës, e jo edhe gjatë natës, kur ishte bërë udhëtimi në fjalë.