Bukurija – Naim Frashëri

0
620

Do të këndonj Bukurinë

E të lëvdonj Perëndinë,

Perëndin’ e bukurisë,

Q’i dha shije gjithësisë!

Perëndija bukuroshe!

Ty të falem e të lutem

Më vjen në gji të të futem

Zonja përkëdheloshe!

Që më je si mbretëreshë,

Të keqen o pëllumbeshë.

Zot i vërtetë!

Ke mbledhur dritën,

Diellin, dritën,

Ndë gjithë jetë,

Edh’ e ke bërë

Gush’ e krahruar,

Faqez’ e ballë,

Dhe pulp’ e llërë,

Sy e qepallë,

Dhe këmb’ e duar!

 

Në fytyrët tënde gjeta Bukurinë.

Si ajy që gjeti në malt Perëndinë

Lulezët e Majit sa janë të mira!

Po përpara teje m’erdhë të pështira.

Kur shoh faqezët’ e tua,

Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit,

Zëri yt shpirt më jep mua,

Nuk’ i le shije bilbilit.

Edhe yjt’ e hëna si të shëmëtuar

M’u duknë, kur pashë atë syn’e shkruar.

 

Purtek’ e florinjtë! shigjet’ e ergjëntë!

Zëmrënë m’a dogje, m’i përndave mëntë!

Do të vdisnja me shumë gas,

Të paskësha pakë shpresë,

Se do të thuash ti më pas,

Vdiq, për mua, pastë ndjesë.

Kudo është Bukurija,

Në qiej, në dhë, në hënë,

Në diell, në shenjë, në yje,

Ndër lule, ndër drurë, ndër pyje,

Çdo vënt që të ketë zënë,

Atje çfaqet Perëndija,

Po këtu është e tërë,

Dhe ajo tin është bërë!

Pashë pjeshkëtë ndër fletë,

Pa m’u-mejtua gjiri yt,

Edhe më mbenë përpjetë

Në zëmrët, në shpirtit, në syt!

 

Jaseminë kur e pashë,

Q’ish i bardhë si dëborë,

Pse më ndjek zemrën, i thashë,

E më ngjan më atë dorë?

Dhe në mejtim të madh rashë,

Më ra në det mëndja, m’u mbyt,

Më la vetëm e të shkretë,

Edhe të mjer’ e të gjorë!

Qiriri meje ka mësuar

Të digjet të përvëlohet,

Edhe duke përvëluar,

Të qeshnjë e të gëzohet,

Të bënetë zjar e flakë,

Të tretët pak’ e nga pakë.

Ti e msove trëndafilë

Të çelet, të lulëzohet,

Të qeshnj’ e të zbukurohet,

T’a përvëlonjë bilbilë,

E t’ a bënjë të pëlcasë,

Një fjalë të mos i flasë,

Dhe nga kjo t’i vinjë mirë,

Të xbukurohet më mirë,

E të mos ketë mëshirë,

Po t’a lerë dne pa gjumë.

Bërthama jote o hurma!

Më rrëfen bukur e mirë;

Zemr’ e buz-ëmblësë, më tha,

Ësht’ e fort’ e p’ amblësirë.

Po fjalënë s’ja besova,

Nuk’ ësht’ e vërtetë, thashë,

Tani holl e kupëtova,

Se me syt’ e mi e pashë.

more shtat i florinjtë!

Bukurija teje buron,

Edhe të rrjedh nga pëqinjtë,

Gjithë jetën e xbukuron.

Më ecën me shumë shije,

Dhe si thellëza më vështron,

Edhe më hedh nje shkëndijë,

Dhe zemrënë m’ a përvëlon.

Të keqen e këmbës sate,

Të ju-bëfsha ati syri,

E leshravet si tërtërë,

E qepallës si gjilpërë,

Që në zëmërë më hyri.

Ç’pate, që më vrave, ç’pate?

Nga qepallatë jam qarë,

Po të vërtetën’ e gjeta,

Vetullat më paskan vrarë,

Më vrau hargu, jo shigjeta.

Zëmra jote në krahrort tënt

Është hekur brënda n’ergjënt;

Dhe në linj’ ajy krahruar,

Si ndë dhë gur’ i paçmuar.

Dielli zënë me rezë,

Vera në qelqe të zezë,

Shpirti brënda nër qivure,

Zot’ i madh nër katrë mure!

 

Do të shkrihem

Të venitem,

Si kandili kur s’ka vaj,

Balt’ e pluhur

Do të bëhem,

Të më shkelnjë këmb’ e saj;

E të prehem

Duke puthur

Atë këmbë pasandaj.

As më thua,

Ç’ke me mua?

Pse të dua paskam faj?

Pse heq unë

Hidhërime,

A në vdekça, ti mos qaj,

Vdekja ime,

S’të prish punë,

Haj, e zeza jetë, haj!

 

Veri! pa hiq i thua

Sorkadhësë qafë-gjatë:

Më ka thënë pyllë mua,

S’mblidhem dot as dit’ as natë!

Pyetë vallë përse,

Pastaj jak’ e më rrëfe.

Bukuroshe! sy-mëshqerë!

Shikomë një herë mua,

Trëndafil’ i kuq me erë!

E di vallë sa të dua?

E mora vdekjen në sy,

Do të vdes, të vdes për ty.

..Mos i hap leshratë n’erë

Të m’arratiç mëndjen t’ime,

Mos më shiko dhe një herë,

Se m’u bë zëmra thërrime.

Si thëllëx’ e bukur mos shko

Mos vështro si pëllumbeshë,

Shpirtinë mos m’a përvëlo,

Mos u tunt si mbretëreshë.

Me qepallatë si shtijë

Mos më vra mos më plagos,

Me vështrim po si shkëndijë

Mos më vdis e mos më sos.

E pashë dije tek shkonte,

Soje ndritte gjithë jeta,

Pa hoth syt’ e më shikonte,

Duke kthyer si shigjeta!

Posa pashë Bukurinë,

Zemrën’ e varfrë m’a piku,

Ndjeva në të dashurinë,

Që më erdh, dhe më s’më iku,

Pse s’ka fjalë të dëftenjë

Dashurin’ e Bukurinë,

Nuk’ e them dot atë ndjenjë,

Nuk’ e them dot Perëndinë!

Mos u mundo kot,

Nukë thuhet dot.

M’iku me vrap djalërija

E më la mbi dhe të shkretë,

Më erdh shtriga pleqërija

Fshehtazi, si qen’ i qetë.

popo! ç’më gjet, o shokë,

Do të qanj me thes më kokë,

ditët e djalërisë.

Që kishit shumë gëzime

Ratë në det t’arratisë,

Më latë në hidhërime!

Tani jetënë ç’e dua,

Më s’ësht’ e shkreta për mua.

Ti o bukuroshja ime!

Të ritë m’a paç për jetë,

Kurrë mos pafsh hidhërime!

Të dashtë Zot’ i vërtetë!

Syri yt mos u-venittë.

 

Vera vate, shkoj,

Bilbili pushoj,

Lulet u-thanë!

Dimëri u-qas,

Dëborë vjen pas,

Fletëtë rënë.

Gjësendi më s’mbet

Thua për mi dhet,

Shpestë pushuan!

Zëmra ime zjen,

E ty më s’të gjen

Pa heq e vuan.

Erdh e na gjet

Vera mi dhet,

Dhe këtë herë

Për shumë vjet

E me shëndet,

Na gieç, o verë!

Sa më pëlqen,

E ç’më dëfren

Luleja mua!

Ç’mirë më vjen

Se shembëllën

Faqet e tua.

Del të të shoh,

Oh! oh! oh! oh!

sy mëshqerë

Dua t’a ngroh,

Se po m’u ftoh

Zemr’ e mjerë.

Syri m’u vesh,

Po del në shesh,

Malli m’u shtua,

Shih, mos më lesh!

Popo! kur qesh,

Ah, sa të dua!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu