“Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria”

0
73

Nga Edison Ypi

Budallai i bukur

Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur. Me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri. Pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme. Budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.
Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet.
Koha kur thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku.
Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e insekteve mbi kërrmën e ngordhur, duket çudi si ndodhi që budallenj të bukur kemi më tepër se drurë nëpër pyje.
Me pamje të jashtëme të studiuar para pasqyrës, qasje refuzuese ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbyllur në guackë plot jargë javashllëku.
Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.
Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike.
Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha nyjet: Istikamet e politikës, zyrat e administratës, Shoqërinë Civile, mediat, ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë sa majtas sa djathtas me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe budallallëk të pafundëm.
Budallai ynë i bukur është një tyç i update-uar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i vjetëruar.
Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.
Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, këto dhe të tjera për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar atij jetën dhe për t’ja afruar vdekjen gjithë të tjerëve.