Britania përgatitet t’i japë lamtumirën princit: Kërkesa e veçantë e mbretërorëve për njerëzit

0
132

Homazhe dhe ngushëllime nga e gjithë bota kanë shkuar për mbretëreshën Elizabeth dhe familjen mbretërore, pas ndarjes nga jeta të princit Philip.

Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në të gjithë institucionet dhe këmbanat ranë plot 99 herë në Westminster Abbey, në nder të bashkëshortit të mbretëreshës, i cili u nda nga jeta mëngjesin e të premtes në Winsdor Castle.

Në shenjë respekti, partitë politike ndaluan aktivitetet e fushatës për zgjedhjet e majit ndërsa kanalet televizive anulluan programet e skeduluara për të mbuluar live homazhet dhe çdo informacion tjetër mbi ngjarjen që pushtoi dje mediat e gjithë botës.

Nisur nga situata e pandemisë, qeveria britanike i ka kërkuar njerëzve të mos grumbullohen rreth ambienteve mbretërore. Nga ana tjetër, vetë mbretërorët i kanë kërkuar njerëzve se në vend që të vendosin lule, të dhurojnë diçka simbolike për bamirësi.

Sot (e shtunë, 10 prill) të shtënat me armë në qiell do t’i japin lamtumirën e fundit princit Philip. Shfaqja e të shtënave me armë (siç e do tradita) do të transmetohet në media dhe njerëzve iu është kërkuar ta shohin nga televizori.

Gjashtë armë, të njëjta me ato që u qëlluan për martesën e princit Philip dhe mbretëreshës dhe u tërhoqën nga 36 kuaj do të qëllojnë sot njëkohësisht në shenjë nderimi në kullën e Londrës, në Kështjellën Hillsborough në Belfast, Edinburgh Castle, Cardiff Castle dhe gjithashu në Gjibraltar.

Princi Charles, gjatë një interviste të mëparshme për BBC është shprehur për të atin: “Mendoj se do të donte të kujtohej si një individ që kishte të drejtat e tij.”

Princi Philip hoqi dorë nga çdo detyrë mbretërore në 2017-ën për shkak të problemeve fizike të cilat u përkeqësuan me kalimin e kohës.

Burimi: The Guardian