“Bota e padukshme mikroskopike”, që u zbulua nga ky shkencëtar, shpesh ka pushtetin mbi jetën dhe vdekjen e njeriut

0
140

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 36 me rradhë ka Anton Van Levenhuk.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXVI- Anton Van Levenhuk

(1632-1723)

Zbuluesi i mikrobeve, Anton Van Levenhuk, është lindur në vitin 1632 në Delft të Holandës. Ai rridhte nga një familje e mesme borgjeze. Pjesën më të madhe të jetës së tij, pothuajse shekullore, e kaloi duke kryer funksione të ulëta në drejtimin e qytetit. Zbulimi i madh i Levenhukut erdhi si pasojë e kureshtjes së madhe për përdorimin e mikroskopëve. Në kohën e tij ishte e vështirë të blihej mikroskopi në dyqan. Ndaj, ai ndërtoi vetë një aparat të tillë. Ndonëse nuk ishte mjeshtër profesionist për xhamat optikë dhe as që kishte studiuar në atë fushë, përvoja mjeshtërore që arriti, ishte me të vërtetë për t’u admiruar dhe ia tejkaloi shumë profesionistëve të asaj kohe. Edhe pse mikroskopi optik ishte përpunuar nga breza të tëra para tij (sipas disave, atë e kishte ndërtuar Janseni në vitin 1590, ndërsa sipas të tjerëve, Drabeli në vitin 1610), ai nuk e shfrytëzoi atë. Pas një pune këmbëngulëse dhe të saktë me xhame të vogla optikë me fokus shumë të shkurtër, arriti t’i zmadhonte objektet shumë më tepër se mikroskopët ekzistues të atëhershëm. Një nga xhamet optikë të tij zmadhonte rreth 270 herë, por besohet se ka prodhuar edhe xhame të tjera më të fuqishme. Levenhuku ishte vëzhgues i durueshëm dhe jashtëzakonisht i vëmendshëm. Ishte mjaft kurioz. Për këtë dallohej nga mjaft figura të tjera. Me xhamet e tij optikë ai vëzhgoi sende nga më të ndryshmet, vëzhgoi qimen e mjekrës së njeriut e deri atë të qenit; ujin e shiut e deri insektet e imëta, fije muskulore, fije të endurash etj. Ato që vëzhgonte i shënonte me kujdes duke bërë edhe skica të hollësishme.

Nga viti 1673, Levenhuku pati letërkëmbim të rregullt me Shoqatën Mbretërore Shkencore të Anglisë, që ishte institucioni kryesor shkencor në atë kohë. Ishte pa arsim të lartë (kishte mbaruar vetëm paragjimnazin dhe nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, veç holandishtes). Megjithatë, në vitin 1680 u zgjidh anëtar i Shoqatës Mbretërore Shkencore dhe anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave të Francës.

Levenhuku u martua dy herë e pati gjashtë fëmijë, por jo nipër.Deri në pleqërinë e vonshme gëzoi shëndet të mirë dhe aftësi për të punuar shumë. Herë pas here e vizitonin një numër i madh personalitetesh, midis të cilëve cari i Rusisë, Pjetri i Madh, dhe mbretëresha e Anglisë. Vdiq në vitin 1723, në moshën 91-vjeçare, në qytetin e lindjes, Delft.Levenhuku është i pari që shpjegoi spermatozoidet dhe midis të parëve, që zbuloi rruazat e kuqe. Ai u ngrit kundër teorisë së autogjenezës (vetëlindjes) në format e ulëta të jetës duke vërtetuar me argumente bindëse, se ajo teori nuk ishte e saktë. Arriti të tregonte me sukses, për shembull, se pleshtat shumohen sipas mënyrës së zakonshme të shumimit të insekteve me krahë. Zbulimin më të madh Levenhuku e arriti në vitin 1674, kur pa për herë të parë mikrobet. Ky është një nga sukseset më të mëdha në historinë e njerëzimit në fushën bakteriologjike. Në një pikë uji, Levenhuku zbuloi një botë të tërë, që ziente nga jeta. Edhe pse nuk e shfaqi vetë, kjo “botë e re” do të kishte rëndësi të madhe për njerëzimin. Dhe, me të vërtetë, kjo “botë e padukshme mikroskopike”, që u zbulua nga ky shkencëtar, shpesh ka pushtetin mbi jetën dhe vdekjen e njeriut. Duke studiuar, Levenhuku arriti të zbulonte me sukses ekzistencën e mikrobeve në gjithfarë vendesh: në burime dhe këneta, në ujin e shiut dhe atë të pijshëm, në gojë dhe në zorrët e njeriut. Ai përshkroi forma të ndryshme bakteresh dhe protozoaresh (organizma njëqelizore), ku përcaktoi edhe përmasat e tyre. Ky zbulim i madh i Levenhukut do të gjente zbatim praktik kohën e Pasterit.Praktikisht, e tërë fusha e mikrobiologjisë mbeti pothuajse e paprekur deri në shekullin XIX, kur u ndërtuan mikroskopët e përkryer. Ja përse ekziston mendimi, se edhe në qoftë se nuk do të ekzistonte Levenhuku dhe nuk do të bëheshin zbulimet e tij, kjo nuk do të kishte asnjë rëndësi për përparimin e shkencës. Kjo nuk ka diskutim, megjithatë, falë zbulimeve të tij, bota shkencore mësoi për ekzistencën e mikrobeve. Ngandonjëherë, thuhet se Levenhuku arriti rastësisht në zbulimin e tij të rëndësishëm. Kjo është më se e vërtetë. Zbulimi i mikrogjallesave ishte përfundim i natyrshëm i ndërtimint të vullnetshëm të mikroskopit të tillë, që nuk ekzistonte deri atëhere dhe i punës këmbëngulëse dhe të saktë të tij. Pra, suksesi i tij ishte rezultat jo i rastësisë, por i punës shumë të mundimshme. Zbulimi i mikrobeve ishte me të vërtetë një nga arritjet e pakta të rëndësishme shkencore, që i dedikohet më shumë vetëm një njeriu, Levenhukut. Ai punoi vetë. Zbulimi i organizmave njëqelizore dhe i baktereve nuk kishin parahistori. Në ndryshim nga arritjet e shumta të tjera në fushën e biologjisë, ky zbulim nuk është rezultat i natyrshëm i grumbullimit të dijeve biologjike të mëparshme. Ky fakt dhe vetë zbulimi i mikrogjallesave, ia rezervon Levenhukut vendin e nderit në libër.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Uilliam Morton.