Bjeshkë dhe mbeturina

0
154

Nga Nazmi Hasanramaj, Klubi Alpin Prishtina

Pasioni dhe profesioni im kanë qenë dhe janë të lidhur me bjeshkën, e kur them bjeshkën, kjo nënkupton çdo komponentë të saj pa përjashtim. Tre vitet e fundit bjeshkët kanë filluar të mbushen me mbeturina; mbeturina gjen në përrenj, kroje, lugina, livadhe, maja dhe shtigje. Kjo pamje po na përcjellë në çdo vend, madje ka filluar të bëhet normale, përderisa lloji i mbeturinave e shfaq nivelin e ulët kulturor të ‘vizitorëve’.

Dikur ne bjeshkatarët i mblidhnim mbeturinat rrugës dhe ktheheshim me qese plot, ende i mbledhim, por tani mbeturina janë bërë me tona !!

Forca për ta helmuar natyrën tonë po vjen duke u rritur; tani kemi udhë të shtruara me asfalt që qojnë ne vende ku do të bëhen ndërtime të shëmtuara dhe pa plan zhvillimor; kemi edhe zyrtarë të korruptuar të cilët japin ‘leje’ të tilla; kemi edhe hetues dhe gjyqtarë të korruptuar që i ‘mbyllin sytë’; e ne të tjerët vazhdojmë ti paguajmë me taksat tona. Këto ndërtime private dhe bajate shoqërohen me rrugë private, me uzurpim të krojeve dhe shtigjeve publike, me vendosje telash dhe prerje masive; pra nuk janë vetëm ujërat duke u shkatërruar..

Javën e kaluar ecëm në Bjeshkët e Shtupeqit dhe gjatë gjithë rrugës na shoqëruan të shtënat nga Bjeshka e Shtedimit, shtoja kësaj edhe motoçikletat e zhurmshme dhe jashtë kontrollit. Kakofoni groteske, pa shije dhe tragjikomike. E njëjta gjë i shoqëroi miqtë tanë edhe në Bjeshkët e Istogut, të shtëna pa kontroll dhe të rrezikshme (kalashnikov party).

Në anën e Malit të Zi dukej qetë, plot pisha dhe.. natyrisht.. pa asnjë mbeturinë.

Unë ende besoj në kulturën dhe unitetin e komunitetit bjeshkatar të Kosovës; përpiqem ti kuptoj edhe grupet formale dhe jo-formale të cilat më shumë bëjnë dëm sesa dobi; por nuk dua ti kuptoj njerëzit tanë të cilët i hedhin këto mbeturina në bjeshkë dhe lumenj dhe kthehen në shtëpi pa i vrarë ndërgjegjja.

Imazhi malor i Kosovës ka filluar të bëhet koncept i pasigurt për zhvillimin e sporteve malore, rekreacionit dhe turizmit.