Bilanci i COVID-19 në botë

0
47

Pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar të paktën 2 191 865 të vdekur në botë që kur Kina njoftoi shfaqjen e sëmundjes në dhjetor 2019, sipas të dhënave zyrtare.

Më shumë se 101 436 360 raste infektimi janë diagnostikuar zyrtarisht që prej fillimit të pandemisë.

Shifrat bazohen në bilancet e komunikuara çdo ditë nga autoritetet shëndetësore të çdo vendi.

Vendet që kanë regjistruar më shumë të vdekur në bilancet e fundit janë SHBA-ja me 3 949 të vdekur, Meksika me 1 506 të vdekur dhe Brazili me 1 386 të vdekur.

SHBA-ja është një prej vendeve më të prekura si për nga numri i të vdekurve ashtu dhe për nga numri i rasteve, me 433 206 të vdekur për 25 767 168 raste të regjistruara, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Pas SHBA-së, vendet më të prekura janë Brazili me 221 547 të vdekur dhe 9 058 687 raste, India me 154 010 të vdekur dhe 10 720 048 raste, Meksika me 155 145 të vdekur dhe 1 825 519 raste dhe Britania e Madhe me 97 939 të vdekur me 3 647 463 raste.

Mes vendeve më të prekura rëndë, Belgjika është ajo që ka regjistruar numrin më të madh të të vdekurve në raport me popullsinë, me 181 të vdekur për 100 000 banorë, e ndjekur nga Sllovenia me 166 të vdekur, Republika Çeke me 150 të vdekur, Britania e Madhe me 152 të vdekur dhe Italia me 145 të vdekur.

Europa numëronte dje në orën 11:00 GMT 725 540 të vdekur për 32 943 086 raste, Amerika Latine dhe Karaibet 588 151 të vdekur për 18 623 082 raste, SHBA dhe Kanadaja 452 826 të vdekur për 26 531 738 raste, Azia 238 780 të vdekur për 15 112 972 raste, Lindja e Mesme 96 629 të vdekur për 4 676 594 raste, Afrika 88 994 të vdekur për 3 517 219 raste dhe Oqeania 945 të vdekur për 31 669 raste./ATSH