Biden: I hapur për diskutime me republikanët për paketën e ndihmës antiCovid-19

0
47

Presidenti i SHBA, Joe Biden, sugjeroi se ishte i gatshëm t’u jepte republikanëve dy javë kohë për të arritur një marrëveshje dypalëshe mbi një paketë ndihme ndaj koronavirusit, para fillimit të procesit të miratimit të buxhetit për të shmangur kështu kundërshtimet e tyre.

I ballafaquar me një provë kryesore të qeverisjes gjatë presidencës së tij të re, Biden e bëri të qartë se ai shpresonte të merrte mbështetje dypalëshe për planin e tij të ndihmës pandemike prej 1,9 trilionë dollarësh.

Por, gjithashtu, ai ofroi mundësinë e përdorimit të një qasje më partiake, një instrument pajtimi që shmang rrezikun e pengesave në Senat.

“Vendimi për të përdorur pajtimin do të varet nga mënyra se si shkojnë këto negociata. Unë nuk pres që ne do të dimë nëse kemi një marrëveshje, dhe në çfarë mase e gjithë paketa do të jetë në gjendje të aprovohet apo jo, derisa të arrijmë në fund të këtij procesi, i cili ndoshta do të kërkojë disa javë”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Komentet e presidentit erdhën një ditë pasi drejtori i tij i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Brian Deese zhvilloi një thirrje konference me një grup centrist prej 16 senatorësh nga të dy palët për të vlerësuar mbështetjen për një marrëveshje dypalëshe.

Republikanët kanë shprehur shqetësim për madhësinë e paketës së Biden dhe disa prej dispozitave të saj, të tilla si një shtytje për më shumë se dyfishin e pagës minimale federale.

Shtëpia e Bardhë këmbënguli se ishte e gatshme të negocionte me republikanët javët e ardhshme. Por, Biden gjithashtu e bëri të qartë hezitimin e tij për të thyer planin e tij në copa të vogla, ku secila do të duhej të adresohej veçmas./ATSH