Biden fitoi shumicën e votave në Kolegjin Elektoral

0
68

Në këto zgjedhje në SHBA asgjë nuk ishte si dikur. Por Kolegji Elektoral vendosi që të konfirmojë zgjedhjen e Joe Biden si president të SHBA. Republikanët e parë të rangut të lartë po largohen nga Trumpi.

Presidenti i ardhshëm i SHBA Joe Biden fitoi me një shumicë të qartë në të ashtuquajturin Kolegji Elektoral dhe kështu çimentoi fitoren e tij ndaj presidentit aktual Donald Trump. Biden mori 306 vota në Kolegjin elektoral. Demokratit i duheshin votat e 270 vetëve nga 538 vota. Çështja tani se është bërë e qartë.

Trumpi nga ana tjetër ka fituar vetëm 232 vota. “Flaka e demokracisë është ndezur para shumë kohësh pikërisht në këtë komb”, tha Biden pas vendimit të Kolegjit. “Ndërsa ne tani e dimë që asgjë – madje as një pandemi ose abuzim i pushtetit – nuk mund ta shuajë këtë flakë.”

Sipas Kushtetutës, presidenti i SHBA nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, por nga zgjedhësit e përcaktuar nga vota e popullit në nivelin e shteteve federale, të cilët së bashku formojnë Kolegjin Elektoral. Kjo është edhe arsyeja pse votimi të hënën ishte kaq i rëndësishëm për procesin zgjedhor.

Fakti që Bideni 78-vjeçar fitoi zgjedhjet ka qenë i qartë që nga 7 nëntori, kur mediat kryesore amerikane publikuan të dhënat nga votimet në SHBA dhe e shpallën fitues atë. Më pas u çertifikuan edhe rezultatet e votimit.

Largimi i republikanëve nga Trumpi

Joe Biden i ka bërë thirrje presidentit aktual që të pranojë humbjen. Deri tani Trumpi nuk e ka pranuar humbjen, por ndërkohë janë shënuar edhe rastet e para të republikanëve që po ia kthejnë shpinën Trumpit. Tani do të ulemi me “Biden si president të zgjedhur”, tha senatori republikan Roy Blunt, i cili kryeson komitetin e inagurimit të presidentit të ri. Blunt ishte një nga republikanët e parë të rangut të lartë që pranoi fitoren e Bidenit.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell nuk është prononcuar ende pas konfirmimit të fitores së Bidenit nga Kolegji. Ndërsa zëvendësi i tij John Thune tha para zgjedhjeve: “Sapo Kolegji të mbyllë këtë çështje, do të jetë koha që të gjithë të shohin përpara”. Senatori i Teksasit John Cornyn tha se natyra e zgjedhjeve është se ka një fitues dhe një humbës. Sapo të përfundojnë kontestimet ligjore nga Trumpi, “Joe Biden do të jetë në rrugën për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara”.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale do të shpallen zyrtarisht në 6 Janar në Kongresin amerikan në Uashington. Biden pritet të betohet më 20 janar në Uashington. Atë ditë përfundon automatikisht edhe mandati i Trumpit, edhe nëse ai nuk e pranon humbjen. Deri tani kanë dështuar më shumë se 50 procese gjyqësore të iniciuara nga kampi i Trumpit, me pretendime për mashtrime dhe manipulime në zgjedhje. Të premten e kaluar edhe Gjykata e Lartë në Uashington e hodhi poshtë një proces gjyqësor me të cilin Trumpi synonte të përmbyste fitoren e Bidenit në katër shtete.

Ndërkohë Bidenit ia ka uruar fitoren në zgjedhje edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin./dw