Biblioteka Kombëtare për disa ditë do të ketë ngjyrën portokalli

0
117

Me shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës në Baza Gjinore, u shënua edhe fillimi i fushatës ndërkombëtare “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore.”

Çdo vit, nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut, 16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, është një kohë për të nxitur veprime për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave rreth botës.

Me këtë rast, Zyra e UN Women organizoi ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në ngjyrë portokalli. Si pjesë e kësaj fushate, qytetet në të gjithë botën ndriçojnë ndërtesat e tyre ikonike në ngjyrë portokalli, për të sjellë vëmendjen në temën e dhunës kundër grave dhe vajzave në shkallë globale. Ngjyra portokalli simbolizon një të ardhme të ndritur dhe pa dhunë, për gratë dhe vajzat.

Tema e këtij viti është “Gjenerata e barazisë ngritet kundër dhunës seksuale” që synon të ngritë vëmendjen për gratë dhe vajzat që kanë mbijetuar dhunën seksuale, atyre që po mbrojnë të drejtat e te mbijetuarave çdo ditë, dhe atyre që po ndërmarrin veprime për t’i dhënë fund dhunës.

Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, iu drejtua të pranishmëve duke thënë “Në Kosovë ka pasur mjaft progres lidhur me adresimin e këtij krimi. Mirëpo, ky krim ende shihet si çështje private, për të cilën familjet nuk flasin haptas. Dhuna seksuale nuk është çështje private, por një krim të cilin duhet t’a luftojmë së bashku.”

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck-Ahliny tha “Dhuna seksuale dhe dhuna ndaj grave janë të vetmet krime ku viktima stigmatizohet dhe përballet me më shumë turp sesa kryesi i veprës. Kjo duhet të ndryshojë. Vetëm duke qëndruar së bashku mund t’i japim fund këtij krimi.”

Përveç tjerash, ky aktivitet e vendosi Prishtinën në hartën e botës si një qytet që ngritet kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Përgjatë kësaj fushate, mes objekteve të ndriçuara janë edhe: Piramida e Gizes në Egjipt, La Scala në Milano, Petra në Jordan, statuja e Krishtit në Rio de Janeiro dhe statuja e Sirenës në Kopenhagë.

Kosova është pjesë e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit” tash e disa vite përmes zyrës së UN Women, Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore dhe organizatave të angazhuara për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe barazinë gjinore.

Këtë vit gjatë 16 ditëve do të organizohen një numër i madh i aktiviteteve në të gjithë Kosovën.

/oxygenpress.info