Besian Mustafa kandidon për kryetar të LDK-së

0
70

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, kandidon për kryetar të këtij subjekti.

Pos tij kandidatë për kryetar të LDK-së janë edhe Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Anton Quni, transmeton Klan Kosova.

Mustafa ka thënë se për 15 vjet me radhë LDK-ja e ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë duke shtuar se është koha që këto t’i kthehen asaj.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se ai biologjikisht është djali i Xhemail Mustafës, ish-veprimtarit të LDK-së, ndërsa politikisht Besiani deklaroi se është i kësaj partie.

“Të gjithë kemi përgjegjësi për Kosovën dhe LDK-në. Do kandidoj për kryetar të LDK-së më 14 mars. Kandidat vetëm dhe vetëm në kuti, pa matematika. Këto 15 vjet, që kulmuan me debaklin e 14 shkurtit, LDK ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë e saj. Është koha t’ia kthejmë. Me rrënjët thellë në truallin e LDK-së dhe me fytyrën kah dielli i të ardhmes”.

“Siç është bërë tanimë zakon në partinë tonë edhe këtu pres të ndërtohen e thellohen konspiracione “ky është i atij grupit” ose “i atij klanit” ose “i atij filanit.” Unë jam Besiani. Biologjikisht jam i Xhemailit. Politikisht, i LDK-së. Ideologjikisht, i themeleve të 1989-ës. Këto ndarja e grupe, qofshin reale apo fiktive, s’na bëjnë nder e s’kanë vend në LDK”.

Mustafa ka thënë se ky subjekt ka nevojë për reformim, por jo për denigrim.

“Duke u shprehur mirënjohjet më të larta e më të thella për kontributin shumëvjeçar gjithsecilit vendimmarrës të deritanishëm të LDK-së, tani gjithsecili e ka të qartë që udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 viteve të ardhshëm”.

“Tradita e këtyre 15 viteve të fundit e denigrimit të kolegëve dhe ish kolegëve të partisë, duhet dhe do të përfundojë. Por, natyrisht, vendimmarrja nga 15 marsi do të kalojë tek një ekip tërësisht i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Ky ekip do të diskutojë hapur, pa grupe e xhepa, secilën temë dhe do të nxjerrë vendimet më të mira për LDK-në dhe Kosovën, jo për individë e grupe”.

Ai në fund u ka uruar të gjithë kandidatëve të tjerë për kryetarë brenda këtij subjekti fitore.