“BE të zgjohet nga gjumi, dhe të mbajë Serbinë përgjegjëse për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”

0
51

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mirëpret deklaratën e Bashkimit Europian, që edhepse me shumë vonesë, riaktualizon çështjen e mos implementimit nga ana e Serbisë, të një ndër marrëveshjeve më të rëndësishme të arritura në Dialogun e Brukselit, që është ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), me të cilën Serbia e pranoi integritetin territorial të Kosovës së 17 shkurtit 2008.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet, prej kur është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e gjashtë pikë-kalimeve të përhershme kufitare të IBM-it, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Që nga ajo kohë vetëm dy objekte të përhershme janë përfunduar, ajo në Merdarë dhe në Mutivodë, ndërsa zbatimi i katër të tjerave, Jarinjë, Bërnjak, Dheu i Bardhë, dhe Muçibabë, është bllokuar nga ana e Serbisë.

Presim nga ana e BE-së, që ta riaktualizojë edhe mos zbatimin nga ana e Serbisë e një pjese të konsiderushme të marrëveshjeve të Brukselit, sidomos atë për Urën e Ibrit, e cila po ashtu, përkundër faktit se është financuar dhe kryer më fondet e BE-së, vazhdon të jetë e mbyllur dhe e bllokuar për lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Bashkimi Evropian, gjithashtu duhet të shtyjë përpara shuarjen e plotë dhe të verifikueshme të të gjitha strukturave paralele të mbetura në Kosovë, të kërkojë zbatimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave, atë për kadastrat, lirinë e plotë të lëvizjes, dhe të punojë intenzivisht dhe e koordinuar me SHBA-të, për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë brenda një afati të shkurtër kohor.

Ndryshe, me Serbinë si i vetmi shtet i mbetur jodemokratik në rajon dhe Evropë, me retorikë kriminale kundër NATO-s, paqes dhe stabilitetit rajonal, kundër vënies së drejtësisë për krimet e saj të luftës, kundër bashkëpunimit për kthimin e të pagjeturve, dhe kundër zgjidhjes paqësore pa luftë të çështjes së fundit të mbetur nga ish-Jugosllavia – dialogu i padefinuar, i paafat, dhe pa parime të përcaktuara është bërë i pavlerë.