BE: Autorizim më të shpejtë për vaksinat kundër varianteve të reja

0
64

Bashkimi Europian, i akuzuar për ngadalësi në menaxhimin e pandemisë së COVID-19, do të përshpejtojë procedurën për autorizimin e vaksinave për t’iu përgjigjur varianteve të virusit, njoftoi sot Komisionerja e Shëndetësisë.

“Ne kemi analizuar me Agjencinë Europiane të Medikamenteve procedurën dhe ne kemi vendosur paraprakisht që një vaksinë e përmirësuar nga një prodhues për të luftuar kundër varianteve të reja bazuar në një vaksinë ekzistuese dhe çertifikuar nuk do të ketë më nevojë të kalojë të gjitha etapat e autorizimit”, deklaroi ajo për të përditshmen gjermane Augsburger Allgemeine, publikuar sot.

“Kjo do të ndihmojë për të pasur më shpejt në dispozicion vaksina të përshtatshme, pa ulur kriteret e sigurisë”, shtoi komisionerja.

Komisioni Evropian është kritikuar gjerësisht për fillimin e ngadaltë të fushatave të vaksinimit kundër COVID-19 në vendet e BE, për shkak të procedurave të çertifikimit për vaksinat e para që konsiderohen shumë të gjata krahasuar me Britaninë e Madhe ose SHBA-në, por edhe në lidhje me porositë e vaksinave ./ATSH