BBC artikull për alpinisten shqiptare, Arineta Mula

0
203

BBC së fundmi ka realizuar një storie të titulluar “Gruaja që pushtoi Everestin”, kushtuar alpinistes shqiptare Arineta Mula. Aty rrëfehet shumë cka, duke filluar nga jeta, sfidat e sukseset e Arineta Mulës, qysh nga jeta e saj në Pejë e deri tek ngjitja në majat më të larta të botës.

Mula ka rrëfyer për BBC se asnjëherë nuk e kishte menduar që do të merrej me aplinizëm, e aq më pak të pushtonte majat botërore. Shpërngulja nga Peja në Prishtinë ishte hapi i parë drejtë ndryshimit të jetës së saj.

“Shëprngulja nga Peja në Prishtinë më ndryshoi mënyrën e jetesës, më dha mundësi për të ndryshuar, aty nisa një punë, bëra miq të rinj, krijova kontakte dhe mendoj se në fund e zbulova pasionin dhe dashurinë time për hiking dhe ngjitje”, ka rrëfyer Mula.

Në storien për BBC, Mula ka rrëfyer edhe vështirësitë që ka hasur gjatë ngjitjeve, teksa ka thënë se këto përvoja e kanë bërë edhe më të fortë.

“Ndihem shumë mirë që e kam gjetur një forcë të brendshme për të vazhduar tutje, edhe në momentet më të vështira që ishin sikur të mbesje pa oksigjen në 8600 metra lartësi, apo të lëshohesha poshtë e vetme. Ndihem më e fortë, ndihem vetja dhe me të vërtetë besoj se gratë mund të bëjnë shumë më shumë se që mendojnë”, ka thënë Mula. Në nëntor të vitit 2017, Arineta Mula u ngjitë në majën e malit Everest, që konsiderohet si mali më i lartë në botë.