Bashkëpunim i rëndësishëm i FSK-së me ushtrinë turke

0
120

Oficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, kapiteni Besnik Thaçi, ka përfunduar me rezultat të shkëlqyeshëm trajnimin 5-javor “Kursi i Oficerit për Mbrojtje Kimike, Biologjike, Radiologjike dhe Atomike” të ushtrisë turke, të mbajtur në qytetin e Konyas në Turqi.

Kapiten Thaçi, në bazë të të arriturave teorike dhe praktike gjatë trajnimit, është radhitur i treti, nga të gjithë pjesëmarrësit vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në këtë trajnim.

Pjesëmarrja e kapitenit të FSK-së, Besnik Thaçit, ka shënuar bashkëpunimin e parë në këtë fushë të ofruar nga Republika e Turqisë. Tashmë në këtë shkollë janë ofruar edhe vende të reja për pjesëmarrjen e nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së, duke shënuar kështu bashkëpunim të rëndësishëm të FSK-së me ushtrinë turke.

“Trajnimi specialistik ka filluar nga data 05.11.2018 dhe ka përfunduar më 07.12.2018,  dhe është mbajtur në Shkollën specialistike për mbrojtje kimike, biologjike, radiologjike dhe atomike në Konyas. Trajnimi për detektimin dhe mbrojtjen ndaj armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe atomike është realizuar në teori dhe në praktikë me pajisje të ushtrisë turke”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Në këtë trajnim, përveç nënoficerëve të forcave ajrore turke, kanë marrë pjesë edhe oficerë me gradën nëntoger e deri te grada kolonel të gjinive të ndryshme ushtarake turke. Gjithashtu pjesëmarrës kishte oficerë edhe nga Azerbejxhani, Kosova e vende të tjera. Shkolla specialistike për mbrojtje kimike, biologjike, radiologjike dhe atomike është shkolla e vetme në Republikën e Turqisë dhe në rajon për këtë fushë ushtarake dhe konsiderohet si njëra ndër shkollat më cilësore në fushën e mbrojtjes KBRA”, thuhet tutje në njoftim.