Barca me fitore rutinë, eliminon Unitedin dhe vazhdon në gjysmëfinale

0
39

Barcelona është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Manchester Unitedin edhe në ndeshjen kthyese çerekfinale që u zhvillua të martën mbrëma në Camp Nou.

Blaugranët fituan me rezultat 1-0 në Old Trafford, ndërsa pas triumfit në takimin e dytë (3-0), ata vazhduan tutje me rezultat të përgjithshëm prej 4-0.

Në minutën e parë të sfidës, Marcus Rashford doli në rast, mirëpo nuk arriti të tregohej i saktë. Në vazhdim, gjyqtari Felix Brych akordoi penallti për Blaugranët, mirëpo pas konsultimit me VAR-in e shfuqizoi vendimin e tij.

Lionel Messi feston golin e dytë ndaj Unitedit (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Dhe më pas doli në skenë numri 10 i vendasve. Superylli argjentinas shënoi një gol të bukur me një goditje nga jashtë zonës (16′).

Vetëm disa minuta më pas (20′), Leo Messi e shënoi edhe golin e dytë, kjo falë edhe gabimit nga portieri David de Gea, i cili nuk ishte i sigurtë në intervenimin e tij.

Festimi i golit të Philippe Coutinhos (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Në gjysmën e dytë, katalunasit e gjetën sërish rrjetën. Jordi Alba asistoi te Philippe Coutinho, i cili e shënoi golin e tretë për skuadrën nikoqirë.

Në gjysmëfinale, Barcelona e pret fituesin e duelit ndërmjet Liverpoolit dhe Portos.