Banka Botërore dhe OBSH-ja ndajnë 15 milionë euro për Kosovën në luftimin e koronavirusit

0
45

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Banka Botërore do të ndihmojnë Kosovën me rreth 15 milionë euro për luftimin e koronavirusit.

Kështu tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për medie.

“Javën që vjen do të vijë një kontingjent i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion nga OBSH-ja. Gjithashtu sot jemi njoftuar nga OBSH-ja se janë ndarë 7 milionë euro që do të ndihmojnë furnizimet në institucionet shëndetësore të çdo niveli. Banka Botërore ka ofruar mbështetje në aktivitetin ndaj masave kundër Covid 19 me vlerë prej 7.9 milionë euro”, ka thënë Vitia.

Numri një i Shëndetësisë ka bërë me dije se Qeveria ka alokuar gjashtë milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm prej shumës prej 10 milionë eurove, për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në planin e veprimit kundër koronavirusit për të siguruar masa mbrojtëse për personelin shëndetësor, furnizimin e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe shërbimet tjera mbështetëse.