Ballkani shijon fitoren, Feronikeli vazhdon ecurinë pozitive

0
47

Ballkani e ka realizuar fitoren e parë pas vazhdimit të kampionatit. Skuadra nga Suhareka ka arritur të mposhtë Trepçën’89 në kuadër të javës së 25-të, me rezultat 3:1, pas një loje mjaft interesante. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 19-të me golin e Jetmir Topallit.

Mirëpo, vetëm pas katër minutash mitrovicasit i barazuan shifrat me golin e Arb Manajt nga penalltia. Mysafirët rezistuan me mjaft sukses deri në minutën e 78-të kur një pakujdesi të fazës së mbrojtjes e ndëshkoi këmbëshpejti Ermal Krasniqi, duke e kaluar Ballkanin në epërsi 2:1. Ndërkaq, golin e qetësisë për vendasit e realizoi Mirlind Daku, me kokë në minutën e 87-të, duke e vendosur edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes 3:1.

Kjo fitore ia mundëson Ballkanit që të mbetet në hap me dy skuadrat e kreut të renditjes, Dritën dhe Prishtinën. Ndërkohë, Feronikeli ka shënuar fitore në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas në duel me Llapin, me rezultat 2:1. Të dy golat për vendasit i shënoi Mevlan Zeka dhe atë nga pika e bardhë, derisa golin e vetëm për llapjanët e realizoi Ymeri.