Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri

0
339

Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, do të jetë përfaqësuesi ligjor në Gjykatën Speciale, i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Ben Emmerson i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri.

Emmerson e ka mbrojtur edhe ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund u lirua nga çdo akuzë për krime gjatë luftës. Në karrierën e tij profesionale, Emmerson ka punuar në shumë raste dhe për shumë qeveri. Emmerson ka qenë avokat kryesor në më shumë se 25 çështje që kanë kaluar në Gjykatën e Strasburgut dhe prej të cilave nuk e ka humbur asnjë.

Biografia e tij flet edhe për fitoren në rastin e Ramush Haradinajt në prill të vitit 2008-s, ku pas një gjykimi disavjeçar Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, njofton Klan Kosova. Ish Kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për figurën e Ben Emmerson, e ka cilësuar si një ndër avokatët më të mirë që ka Britania.

“Një nga avokatët më të dalluar të Britanisë në fushën e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, ka thënë May. Në qershor 2011, Emmerson u zgjodh si Raportues Special i Kombeve të Bashkuara në Task Forcën Kundër Terrorizmit dhe të Drejtat e Njeriut.

Ai e mbajti këtë mandat deri në korrik 2017.

Në këtë cilësi ai raportoi çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe entitetet përkatëse të krijuara nga Këshilli i Sigurimit. Aktualisht, Ben Emmerson është edhe avokat i Mbretëreshës në Angli.

Për punën e suksesshme ndërkombëtare, për të është realizuar edhe një film i quajtur “Official Secrets”, bazuar në ngjarje të vërtëtë, i cili ka fituar çmime ndërkombëtare./KlanKosova