Austri: A do të hapen shkollat dhe dyqanet nga data 8 shkurt?

0
123

Kjo është një fundjavë vendimtare. Të hënën nga ora 13:00, qeveria do të diskutojë nëse bllokimi i masave do të përfundojë dhe të paktën shkollat dhe lokalet afariste do të lejohen të hapen nga 8 shkurt.

Prej më shumë se një muaj, Austria për shkak të koronavirusit është e bllokuar për të tretën herë brenda një viti. Të gjitha dyqanet(përveç atyre ushqimore, higjenike dhe farmacive) janë të mbyllura. Kjo mbyllje totale do të vazhdojë të paktën deri me 7 shkurt. Sidoqoftë e gjithë situata varët nga numri i infeksioneve. Deri në ditët e fundit numri i infeksioneve brenda 24 orëve sillet rreth 1500 – 1600 raste të reja, shkruan albinfo.at.

Sipas kancelarit Sebastian Kurz, lirimi i masave duhet të bëhet vetëm nëse rastet e reja ditore do të ishin më së shumti 700 brenda 24 orëve. E, nëse do të mirret kjo shifër parasysh, atëherë s’do mend që Austria do të vazhdoj “lockdown”-in.

Në anën tjetër, Dhomat Tregtare po bëjnë presion të vazhdueshëm për zhbllokimin e bizneseve nga data 8 shkurt. Protesta të shumta janë paralajmëruar në këtë fundjavë. “Me vazhdimin e strategjisë së testimeve, duke mbajtur distancën dhe me maska FFP2, besojmë se jemi në rrugën e duhur të hapjes së dyqaneve”, ka thënë Margarete Gumprecht, kryetare e Dhomës së Tregtisë së Vjenës, raporton apa.at.

Rreth 27 mijë dyqane të mbyllura vetëm në Vjenë

Rreth 27 mijë lokale afariste janë të mbyllura gjatë kësaj kohe vetëm në Vjenë.

“Hapja e bizneseve është një hap i rëndësishëm për të shpëtuar sipërmarrësit tanë dhe për të shmangur papunësinë”, ka theksuar Gumprecht. Shumë kompani po përballen me sfida të mëdha financiare. “Pagat e janarit janë të papërballueshme dhe shumica kanë probleme t’i paguajnë ato”, ka thënë ajo. Nga Dhoma e Tregtisë së Vjenës është kërkuar që secili biznes të testoj punëtorët e vet të paktën një herë në javë.

Të hënën merret vendimi

Kjo është një fundjavë vendimtare. Të hënën nga ora 13:00, qeveria do të diskutojë nëse bllokimi i masave do të përfundojë dhe të paktën shkollat ​​dhe lokalet afariste do të lejohen të hapen nga 8 shkurt.

Kancelari Sebastian Kurz tha në Këshillin Federal se sapo të plotësohen kushtet e lehtësimit të masave, gjëja e parë që do të hapen, do të janë shkollat.

Ndryshe, kryetarja e partisë më ta madhe opozitare SPÖ-së, Rendi Wagner ka kërkuar vazhdimin e masave, por siç ka thënë ajo, shkollat duhet të hapen.

“Një hapje e plotë, tash për tash është rrugë e gabuar. Numrat janë ende dy herë më të lartë se sa do të duhej”, ka thënë Wagner. “Nuk guxojmë të bëjmë hapje totale si në vjeshtë, dhe pas katër – pesë javësh të mbyllemi sërish. Një mbyllje e re, do të ishte fatale për njerëzit”, ka pohuar ajo, raporton heute.at.

Megjithatë, durimit duket se i ka ardh fundi. Qeveria është në presion të lartë. Përveç afaristëve të bizneseve, presioni ndaj qeverisë është shtuar edhe nga prindërit e nxënëseve, njofton albinfo.at.

Siç është paralajmëruar, në rast të hapjes së shkollave, mësimi do të bëhet me ndërrime.

Sipas informacioneve nga drejtoritë e shkollave bëhet e ditur se secila klasë do të ndahet në dy grupe: Grupi A dhe grupi B.

Grupi A do të mbanë mësim ditën e hënë, të mërkurë dhe të premte.

Grupi B mban mësim ditën e martë dhe të enjte.

Në javën tjetër ndërrohen grupet. Ditën e hënë, të mërkure dhe të premte, vazhdon mësimin grupi B, ndërkohë ditën e martë dhe të enjte grupi B, dhe kështu më radhë.

Sipas ekspertëve austriak çdo javë e “bllokimit” në Austri, i kushton ekonomisë austriake rreth 1.1 miliardë euro.