Atomistja Era Syla fiton Medaljen e Argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza

0
51
EGMO (European Girls’ Mathematical Olympiad) është garë e formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës dhe konsiderohet gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës.
Për Kosovën kjo ishte pjesëmarrja e dytë me radhë, pas asaj të vitit të kaluar kur po e njëjta atomiste, Era Syla fitoi Medalje të Bronztë.
Ky sukses i jashtëzakonshëm i Erës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, i talentit të saj për matematikë dhe i punës së saj të palodhshme. Veç këtyre, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.
Prandaj, Instituti ATOMI iu shprehë mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuuar në realizimin e potencialit të Erës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj!
Me këtë rast një falënderim i takon Valmir Krasniqit, i cili në vazhdimësi ka përkrahur profesionalisht Erën, qoftë në kuadër të Institutit ATOMI por edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, në të cilën Era për 3 vite radhazi ka qenë në mesin e nxënësve që kanë arritur rezultatet më të larta në Kosovë.
Vlen të theksohet se përgatitja e ekipit të Kosovës, pjesëmarrës në EGMO 2021, është përkrahur financiarisht e jofinanciarisht nga Instituti ATOMI, përmes sponsorizimit nga kompania Alb-Architect.
Instituti ATOMI përgëzon Erën për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe i uron suksese edhe në të ardhmen!
Shënim: Instituti ATOMI nuk pretendon merita për arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme të atomistëve, meqë ato suksese janë rezultat i potencialit të tyre të jashtëzakonshëm intelektual dhe punës së tyre të madhe. Instituti ATOMI i promovon arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme të atomistëve në mënyrë që t’i motivojë ata dhe në të njëjtën kohë ta rrisë vetëdijen e publikut për potencialin e jashtëzakonshëm të atomistëve dhe rëndësinë e tyre, dhe kështu të krijojë një ambient sa më përkrahës për atomistët në shoqërinë tonë.