Ata që janë shëruar nga COVID-19 nuk e përhapin sëmundjen te të tjerët

0
328
Koronavirus

Nga Lul Raka, mikrobiolog

A mundet dikush që ka pasur COVID-19 dhe është shëruar ta përhapë sëmundjen te të tjerët?
JO.

Nëse mbaj një distancë prej mbi 2 metra nga një person a do të më prekë virusi nëse ai është i sëmurë?
Jo, nuk të prek. Prandaj, ne insistojmë ta mbani distancën sociale ose fizike , d.m.th. mos t’ju afroni askujt që është më afër se 2 metra.

Sa njerëz mesatarisht mund t’i infektojë një i sëmurë me COVID-19?
Mesatarisht i infekton 1-4 persona.

Sa mund të zgjasë faza e shërimit të një pacienti?
Kjo varet nga pasqyra e sëmundjes. Te rastet e lehta, prej momentit të shfaqjes së simptomave, deri te shërimi shkon deri në dy javë, kurse te rastet e rënda shërimi mund të zgjasë prej tri deri në gjashtë javë.

A mund preket një person dy herë nga kjo sëmundje?
Jo. Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të gabimeve gjatë testimeve laboratorike. Nëse pacienti lëshohet nga spitali me dy teste të njëpasnjëshme negative nuk ndodh të sëmuret prapë.

Çka d.m.th. kontakti i afërt?
Personi që ka qëndruar afër të sëmurit me COVID-19. Ky mund të jetë anëtari i familjes, personi që ka qëndruar me të sëmurin në distancë më pak se 2 metra dhe në kohëzgjatje mbi 15 minuta, punëtori shendetësor që nuk ka pasur pajisje personale mbrojtëse gjatë ekzaminimit dhe bashkëudhëtari në veturë, tren apo aeroplan që ka qëndruar në afërsi të të sëmurit.

Përveç rrugëve të frymëmarrjes a ndodhet virusi në gjak apo tjetërkund në trup?
Po, virusi është gjetur edhe në gjak, urinë dhe jashtëqitje.

Si të mbrohem prej sëmundjes?
• Mbani higjienën e duarve me ujë e sapun apo gel alkoolik;
• kollituni ose teshtini në faculetë dhe hudheni atë në mbeturina. Nëse s’keni faculetë përdorni mëngën e krahut tuaj.
• mos rrini afër njerëzve të sëmurë.

Pse është e rëndësishme të qëndrojnë njerëzit të izoluar nëpër shtëpi?
Qëndrimi në shtëpi e ndërpret zinxhirin e përhapjes nga njeriu në njeri, e parandalon përhapjen e mëtejme, redukton intensitetin e epidemisë dhe e ulë numrin e rasteve të reja. Kjo njëkohësisht, i mundëson sistemit shëndetësor të përgatitet për fluksin eventual të rasteve të reja dhe të furnizohet me pajisje përkatëse.

Si të sillem gjatë kohës së izolimit dhe nëse duhet të dal për furnizime?
• Dilni jashtë vetëm për të blerë bukë, ushqim, barna dhe për të shkuar në punë (nëse jeni duke punuar në shërbimet publike vitale);
• Nëse keni dalur jashtë, mbani distancën prej së paku 2 metra nga çdokush që ju afrohet;
• Pastroni duart me ujë e sapun posa të vini në shtëpi;
• Mos shkoni në vizita te familjarët e as te miqtë.

A duhet ta vendosi maskën kirurgjike nëse dal në rrugë?
Jo. Maskat kirurgjike duhet të përdoren nga ata që kanë nevojë më së shumti- punëtorët shëndetsor. Virusi nuk qëndron në ajër. Nëse keni dalur në rrugë mbani distancën së paku 2 metra nga çdokush që ju afrohet dhe kjo është masa më e sigurtë.
Për shkak të rritjes së rasteve asimptomatike të infektimit tashmë shumë shtete këshillojnë përdorimin e mbulesave të fytyrës. Këto mbulesa për fytyrë mund të përgatiten nga materiale dhe rroba të ndryshme dhe të lira në shtëpi. Këto mbulesa mund të përdoren si masa vullnetare shtesë të shëndetit publik. Mbulesat e fytyrës NUK JANË maska kirurgjike.

A janë antibiotikët efektivë në parandalimin ose trajtimin e COVID-19?
Jo, antibiotikët nuk kanë kurrëfarë veprimi as në shërim e as në parandalim të sëmundjes.

A ka ndonjë ilaç specifik për të parandaluar ose trajtuar koronavirusin?
Deri më tani, nuk ka asnjë ilaç specifik të rekomanduar për të parandaluar ose shëruar koronavirusin.
Terapia jepet për të lehtësuar dhe trajtuar simptomat. Disa trajtime specifike po përdoren dhe fjalën përfundimtare ende nuk e kanë dhënë hulumtimet shkencore. Disa kanë pasur efekt, por në raste tjera më shumë kanë bërë dëm sesa dobi.

Kur do ta kemi një vaksinë për COVID-19?
Deri te përdorimi praktik i vaksinës shkon zakonisht 12-18 muaj.

A do të ulen rastet nëse rriten temperaturat?
Ky është virus i ri dhe nuk e dijmë se si do të sillet në kohë të rritjes së temperaturave. Por, e dijmë se është virus me mbështjellës dhe është i ndejshëm në ambientin e jashtëm, përfshirë edhe rrezet UV.
Shumë viruse respiratore që fillojnë në vjeshtën e vonshme, zakonisht gjatë pranverës dhe verës e zbehin potencialin e tyre infektiv.

A krijon imunitet ky virus?
Pasi që ky është një virus i ri, askush në botë nuk është imun ndaj tij dhe ai mund ta prek këdo. Por, nga sëmundjet tjera pandemike kemi mësuar se për të folur për imunitetin, duhet të kalojnë së paku nja 6 muaj për ta hulumtuar përgjigjen imunologjike të popullatës së prekur. Nga përvoja kemi mësuar se dikush që e ka kaluar sëmundjen, nuk preket përsëri ( së paku për një apo dy vite pasuese). Por, deri atëherë shpresojmë se ta kemi një vaksinë që do të na mbrojë të gjithëve.

A shkatërrohet koronavirusi me hudër apo raki?
Jo. Hudra edhe pse mund të ketë veprim antimikrobik, nuk e shëron koronavirsin. Njësoj, as pirja e alkoolit nuk e shkatërron virusin.

A më mbron vaksina e gripit kundër koronavirusit të ri?
Jo.

Nëse e shpërlaj rregullisht hundën me ujë me kripë, a ndihmon kjo në parandalimin e infeksionit me koronavirusi?
Jo. Nuk ka asnjë dëshmi se shpërlarja e rregullt e hundës me kripë mbron nga infeksioni me koronavirus.