AstraZeneca ul ndjeshëm furnizimin me vaksinën antiCovid-19

0
48

Një prodhues tjetër i vaksinave antiCovid-19 paralajmëroi probleme me furnizimin me doza drejt Bashkimin Europian, duke shtuar kështu frustrimin në bllokun me 27 anëtarë, sipas BBC.

AstraZeneca tha se një problem në prodhimin e tyre nënkuptonte se numri i dozave fillestare në dispozicion do të ishte më i ulët nga sa pritej.

Goditja e re vjen në një kohë kur programet e vaksinimit të disa vendeve u ngadalësuan për shkak të një shkurtimi të dërgesave të vaksinës Pfizer-BioNTech.

Ndërkohë, komisionerja e Shëndetësisë e BE-së shprehu “pakënaqësi të thellë” për këtë njoftim.

Zyrtarët nuk kanë konfirmuar publikisht se sa e madhe do të jetë mungesa, por një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi tëmos identifikohej deklaroi se dërgesat do të ulen në 31 milionë doza, thënë ndryshe 60% më pak gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Firma kishte deklaruar se do të jepte rreth 80 milion doza në 27 vendet deri në mars 2021.

Vaksina AstraZeneca, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, nuk është miratuar ende nga rregullatori i ilaçeve i BE, por pritet të marrë dritën jeshile në fund të këtij muaji.

Një zëdhënës i AstraZeneca tha dje se “vëllimet fillestare do të jenë më të ulëta nga sa parashikoheshin fillimisht”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ky lajm për vonesën vjen mes kritikave dhe zhgënjimeve në të gjithë rajonin për shpejtësinë e furnizimit me vaksina./ATSH