Arta Dobroshi – e lindur për të qenë yll

0
893

Arta Dobroshi është aktore shqiptare nga Kosova. Ajo ka lindur në vitin 1980 në Prishtinë. Për shkak të luftës në vendlindjen e saj, prindërit e dërguan Artën për disa muaj në Albany të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në ShBA Arta krijoi edhe kontaktet e para me aktrimin.

Në moshën 17-vjeçare, Dobroshi u kthye në vendlindjen e saj në Kosovë, për të studiuar katër vjet në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në degën aktrim dhe në vijim ajo nisi të interpretojë si aktore teatri në pjesë klasike, sikur në “Ëndrra e një nate vere” të Shekspirit etj. Më pas ajo interpretoi gjithashtu nëpër shfaqje moderne të figurave të njohura të artit e letërsisë shqiptare, si Ekrem Kryeziu, Ismail Kadare (“Pallati i Ëndrrave”), koreografi Gjergj Prevazi (“Tranzicioni”) dhe Almir Bukvic (“Aristoteli në Bagdad”).

Gjatë kësaj kohe, Arta ka luajtur edhe role në filma me metrazh të shkurtër. Pas disa prodhimeve të mëdha e të vlerësuara pozitivisht nga kritikët e publiku, si “Syri Magjik” i Kujtim Çashkut apo “Trishtimi i zonjës Shnajder”, Arta pati shumë sukses dhe tërhoqi vëmendjen e dy kineastëve belgë. Vëllezërit Dardenne i ofruan asaj rolin kryesor në një film të madh të tyre. Filmi “Heshtja e Lornës” e pati premierën e tij në Festivalin e 61-të të Kanës, ku aktorja shqiptare bashkë me argjentinasen Martina Gusman ishin padiskutim në qendër të vëmendjes të Festivalit dhe mediave europiane e më gjerë. Ato të dyja ishin kandidatet kryesore për çmimin e aktrimit.

“Heshtja e Lornës” bën fjalë për një martesë të qëllimtë të një emigranteje shqiptare, të interpretuar nga Arta Dobroshi, e cila me çdo kusht duhej të pajisej me dokumenta të ligjshme për të qëndruar në Belgjikë. Historia është vërtet prekëse dhe interpretimi i Artës një art më vete.

Arta Dobroshi ka pasur një ngritje të jashtëzakonshme dhe vlerësime të shumta për origjinalitetin e saj në profesion. Suksesi i saj ishte pa diskutim një ndër ato që nuk kalon pa u vënë re. Arta u vlerësua nga të gjithë kritikët dhe e përditshmja franceze “Le Monde” e quajti atë si “Margaritar i ri i Dardenne-ve”.

E nominuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, aktorja Arta Dobroshi është fituese e “Shooting Star 2013” dhe është renditur mes 10 aktorëve më të mirë të rinj të Europës. Në një ceremoni solemne të mbajtur në “Berlin Palast”, Dobroshi është vlerësuar maksimalisht nga juria, e përbërë nga producentja gjermane Bettina Brokemper, gazetari francez Thierry Cheze, regjisorja britanike Jina Jay, aktorja italiane Alba Rohrwacher dhe skenaristja e regjisorja boshnjake Jasmila Zhbaniç. Ajo u vlerësua mbi të gjitha për rolin e saj në filmin “Tri botët”.

“Në filmin ‘Tri botët’ aktorja tregon vlera të shumta, ngrohtësi dhe humanitet. Ndjeshmëria dhe zgjuarsia e saj zapton ekranin e madh që në minutën e parë të daljes në të. Një performancë e pakonkurrueshme”, ka thënë regjisorja Jasmila Zhbaniç, teksa ka prezantuar aktoren kosovare. Ky ka qenë gjithashtu edhe arsyetimi i jurisë, mbi të cilin janë bazuar kur kanë zgjedhur Dobroshin në listën e aktoreve të reja më të mira në Europë.

Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, juria tha se ishte e vështirë të zgjidhet lista e këtij viti, por e përbërë prej 10 aktorësh, kjo listë, sipas tyre, portretizon secilin emocion të njerëzve.

“European Film Promotion” u themelua në vitin 1997, në përbërjen e së cilës janë 34 shtete europiane, ndërsa çmimi i saj “Shooting Stars” për aktorët më të mirë të rinj është financuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

Filmi “Home”, që është një realizim i arritur mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, është një bashkëpunim kinematografik i suksesshëm dhe shumë i pëlqyer nga audienca. “Home” ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve BAFTA në vitin 2017.

Regjisor i filmit është Daniel Mulloy, ndërsa pjesë e ekipit ishin aktorja Arta Dobroshi, Shpat Deda, Zaki Ramadani, Eroll Bilibani, Mrinë Godanci, Elmedina Morina, Sally Campbell, Davud Karbassioun, Andrés des Rochers etj.

Filmi “Home” bën fjalë për një familje që gjendet në situata të ngjashme si me refugjatët e vendeve të Lindjes. Filmi, ku xhirimet më të mëdha janë bërë në Kosovë, flet për një familje që bëhet viktimë e zhvillimeve të luftës atje.

Filmi ka fituar në kategorinë e filmit të shkurtër, duke lënë pas filmat “Consumed”, “Mouth of Hell”, “Standby” dhe “The Party”.

Producenti i filmit, Shpat Deda, është shprehur i ngazëllyer me këtë çmim.

“Pa tekst! Ky çmim po vjen #Home (Në shtëpi)!!! Urime të gjithëve të përfshirë në Kosovë dhe Britani të Madhe! #Bafta2017 #Britishshortfilm #Win”, ka shkruar Deda në faqjen e tij në rrejtin shoqëror “Facebook”.

Në Ditën Botërore të Refugjatëve për këtë vit, aktorja Arta Dobroshi ka ndarë me publikun e gjerë një video në të cilën ajo kujton kohën kur shkolla e mesme ku ajo mësonte u bombardua gjatë luftës.

Në video ajo tregon më shumë se sa të ngjashëm jemi të gjithë, se çdo njeri në këtë botë ka të drejtën e arsimimit dhe lirisë.

Aktorja që tashmë është një yll në ngjitje, Arta Dobroshi, është parë në qendër të vëmendjes mediatike në mbrëmjen e çmimeve “BAFTA 2017”. Fotografja Sarah Lee, përmes disa fotografive të kapura pa mendje gjatë mbrëmjes së famshme të filmit britanik apo prapaskenës së tij, shpesh me fokus aktoren Dobroshi, la të kuptohej se kjo e fundit ishte me të vërtetë një yll i ngjarjes.

Dobroshi, aktorja e njohur, dikur e nominuar në Festivalin e Kanës për rolin e saj në “Heshtja e Lornës”, doli gjithashtu në skenën e “BAFTA”-s, së bashku me pjesën tjetër të ekipit realizues të filmit “HOME”, për marrjen e çmimit të madh./CMI/Oxygen

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu