Arrestohet Dardan Molliqaj dhe disa aktivistë, reagon Partia Socialdemokrate

0
193

Policia e Kosovës, ka arrestuar disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate, të cilët kishin organizuar një aksion para Policisë.

Në pamje shihet edhe kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj i cili u arrestua nga Policia.

Qëllimi i këtij aksioni të PSD-së, ishte kundërshtimi i vendimit për t’i dënuar qytetarët për mos respektim të masave anti-Covid, ndërsa që partive politike po ju lejohet mbajtja e takimeve para fushatës duke mos respektuar masat.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe Partia Socialdemokrate duke thënë se aksioni filloi sepse Ligji është nxjerrë nga politikanët, të cilët janë të parët dhe pothuajse të vetmit që nuk po e zbatojnë dhe për këtë nuk ndëshkohen.

Reagimi i plotë:

Gjatë aksionit të sotëm simbolik për të shpërfaqur hipokrizinë e institucioneve të Kosovës karshi qytetarëve të saj, të cilët shqiptuan gjoba në vlerë prej 3 milion eurosh për qytetarët e gati asnjë për tubimet e partive politike, aparati policor shtetëror ndërhyri dhunshëm për ta ndërperë aksionin duke arrestuar aktivistët e PSD-së.

Kur zbatimi i ligjit është selektiv, ai gjithmonë shkon në dobi të të fortit e në kurriz të të dobëtit. Ligji është nxjerrë nga politikanët, të cilët janë të parët dhe pothuajse të vetmit që nuk po e zbatojnë dhe për këtë nuk ndëshkohen.

Kërkojmë urgjentisht që aktivistet dhe aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Leonard Shala, Gëzon Kastrati, Qëndrim Sahiti, Arbër Sejdiu, Drin Ahmeti, Gent Brahimi, Agron Kabashi, Veton Dragusha, Fatos Sahiti, Trim Gashi, Natyra Kuçi dhe Frashër Krasniqi të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë që iu është bërë nga policia.