Arrestimi i tetë zyrtarëve policorë, sekuestrohen dokumente, telefona mobil dhe një veturë

0
274

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi konfirmoi se sot janë arrestuar tetë zyrtarë policorë, ndër ta dy femra dhe një pjesëtar i komunitetit serb.

Kryeprokurori i Shtetit në një konferencë për media dha detaje për aksionin i cili është  zhvilluar sot, ndërsa tha se janë bastisur disa lokacione si dhe janë sekuestruar 9 telefona mobil, një veturë si dhe disa dokumente.

“8 zyrtarë janë arrestuar, dy femra dhe një pjesëtarë i komunitetit serb. Kemi dërguar porosi të qartë tek të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale se herët a vonë do të përballen me drejtësi. Do të bëjmë përpjeke për t’i siguruar të gjithë qytetarët nga ndjekja dhe hetimet e paligjshme. Ky rast është duke u hetuar gati një vit. Në bashkëpunim me inspektoratin dhe Policinë e Kosovës i kemi zbatuar masat e  hetimit dhe vëzhgimit, dhe në bazë të informacioneve, të përgjimeve kemi ardhur në përfundim se duhet të hetohen disa persona për veprimet e tyre të kundërligjshme. Janë arrestuar për veprat penale: keqpërdorim të detyrës zyrtare, për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare, ushtrim dhe ndikim, etj. Janë bastisur disa lokacione: 9 telefona mobil një veturë dhe disa dokumente të cilat do të na shërbejnë”, ka thënë ndër të tjera Lumezi.

Ndërsa drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti ka thënë se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të zbatojë ligjin.

“Hetimet që janë bërë janë hetime që kanë rezultuar me disa prova të caktuara që do të procedohen gjatë ditëve në vijim. Jemi të përkushtuar që së bashku la luftojmë çdo dukuri negative”, ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e mëngjesit tetë zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Prishtinës).