“Arbëria” do të bëhet me park

0
666

Lagjja “Arbëria” në Prishtinë e cila njihet për ndërtimet e shumta e kaos urbanistik tash do të ketë edhe një park.

Për ndërtimin e një parku në atë pjesë, tashmë Komuna e Prishtinës ka dhënë edhe tenderin. Tenderi i është dhënë kompanisë që kishte bërë rregullimin e platos mbi “Kurriz”. Bëhet fjalë për kompaninë “Rexha”Sh.P.K.

Kjo kompani do të ndërtoj parkun në lagjen “Arbëria” me 362 mijë e 878 mijë euro e 72 cent, shkruan.

Sipas përshkrimit të dosjes së tenderit, punët që do bëhen në park do të nisin nga punët përgatitore në të cilat punë përfshihet inçizimi gjeodezik i lokacionit sipas specifikacioneve teknike si dhe përcjellja e punëve në vazhdimësi me instrumentet gjeodezike. Tutje këtu parashihet të bëhet furnizimi me material dhe punimi i rrethojës së punishtes me tabela prej llamarinës dhe me konstruksion të përforcuar mirë në tokë. Lartësia e rrethojës është paraparë të jetë h-2.0 metra.

Në punët përgatitore po ashtu parashihet instalimi i zyrave të përkohshme në punishte, vendosja e të cilave do të bëhet në bashkëpunim me organin mbikëqyrës.

Pas kësaj do të bëhet punimet e dheut dhe mbushjet, duke vazhduar me punimet e betonit, punimet e armimit për muret mbrojtëse dhe muret e rampave dhe punët e dyshemesë prej gome.

Po ashtu parku do të ketë pajisjet për fitnes, lodrat, gjelbërimi dhe materialet dekorative.

Pajisjet do të jenë të prodhuara fabrikisht nga prodhuesi i specializuar në këtë lloj prodhimi me produkte të kualitetit të lartë me siguri të posaçme të shfrytëzimit, me funksionalizim, dizajn atraktiv dhe rezistencë të madhe ndaj vandalizimit dhe kushteve atmosferike. Gjitha këto pajisje nuk duhet të përmbajnë kemikale të dëmshme.

Më pas do të bëhen punët në parter, që pas përfundimit të këtyre do të bëhet incizimi dhe matjet e gjendjes së ekzekutuar, shkruan Ndërtimi.

Pas kësaj do të fillohet me punët ndërtimore zejtare-nyjet sanitare, punët elektrike, ku në këtë të fundit parashihet ndriçimi i parkut, objekti dhe fushat e sportit.

Ndërsa kujtojmë që muajin nëntor të vitit që lamë pas (2018) i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati prezantuar projektin e këtij parku.

“Në vitin 2013, në lagjen Arbëria, e gjetëm një deponi të madhe ilegale të cilën e pastruam menjëherë. Në skaj të asaj hapësire, ndërtuam rrugën që e lidhë lagjen Arbëria me lagjen Kodra e Trimave. Hapësira që përdorej si deponi ilegale do të rigjenerohet dhe do të shndërrohet në park rekreativ-sportiv”, kishte deklaruar Ahmeti.

Tutje ai pati deklaruar se projekti është gati, dhe se për të kanë ndarë buxhetin për ta realizuar gjatë mandatit të ardhshëm. “Do të ketë fushë të futbollit, basketbollit, lojëra për fëmijë, shëtitore, si dhe jemi shikuar mundësinë e ndërtimit të një shtegu ku mund të ushtrojnë skiatorët edhe jashtë sezonit dimëror”, ishte shprehur Ahmeti./OxygenPress.info