Arben Gashi: Ajo që ndodhi sot në seancë është sjellje e dhunshme e deputetëve të VV-së

0
74

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sot përmes zhurmës në sallën e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë lejuar vazhdimin e seancës, në momentin kur në sallë ka hyrë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Ky veprim i deputetëve ka ardhur pasi ata kishin paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillim e seancave kur është i pranishëm Selmanaj.

Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, e ka quajtur të dhunshme sjelljen e deputetëve të këtij subjekti.

“Veprimet që i pamë sot kishin potencial dhune. Nëse kanë vërejtje, për ndonjërin nga anëtarët e Qeverisë, Kushtetuta i parasheh mekanizmat demokratik të veprimit e i cili është mocioni i mosbesimit, i cili mund të bëhet ndaj Qeverisë në tërësi apo ndaj ndonjë individi në veçanti. Sjellja e dhunshme dhe pamundësimi i mbajtjes së seancës është i papranueshëm”, ka thënë Gashi në një konferencë për media.

Deputeti i LDK-së ka theksuar që sipas tij, Kuvendi i Kosovës po kapet peng nga drejtuesja e Kuvendit dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Drejtuesja është e detyruar që të garantojë kushtet për mbarëvajtje dhe secili deputet ta kryejë detyrën e tij, por jo në mënyrë të njëanshme të pamundësohet fjala në cilësinë e kryesueses së Kuvendit. Selmanaj, do të jetë prezent në sallën e Kuvendin në secilën seancë ku kërkohet prezenca e tij. Kemi institucione kushtetuese funksionale. Sapo t’i afrohemi afatit për zgjedhjen e presidentit nëse s’ka zgjidhje, do të kemi zgjedhje”, u shpreh Gashi.