Aqif (Kadri) Kadriu, ndërmarrës në Preshevë

Nga Ferid Selimi

Aqif (Kadri) Kadriu lindi më 1 prill 1943 në Preshevë. Ishte i vetmi djalë nga tre fëmijët që kishte Kadri Kadriu i mëhallës së Bixhallarëve të Preshevës, e që me vendbanim ishte në Rrugën Abdulla Krashnica në afërsi të vendit të quajtur “Çeshma e madhe”. Aqifi e kreu shkollën tetëvjeçare në Preshevë, e në vitin 1969 shkon në Gjermani si punëtor i thjeshtë. Aty u punësua në fabrikën e veturave Volkswagen ku punoi deri në fund të vitit 1974.
Në vitin 1975 në Preshevë nisi biznesin e grumbullimit dhe të shitjes së arrave që i blinte nëpër pazare të ndryshme në Shkup, Tetovë, Gostivar, Prishtinë, Prizren, Pejë e në shumë pazare të tjera. Arrat i sillte në shtëpi dhe i përpunonte, e që kjo procedure është kryer gjithmonë gjatë muajit gusht, shtator, tetor dhe nëntor:
1. Arrat e blera i sillte në shtëpi dhe ato duhej të shtriheshin në oborr për t’u terur.
2. Pas terjes, nga fillimi i muajit tetor niste procedura e thyerjeve të arrave në një dhomë në shtëpi ku është dashur të ndahej lëvorja dhe fruti i arrës për paketim dhe shitje.
3. Nga muaji nëntor e deri në fund të muajit dhjetor arrat e qëruara e të paketuara transportoheshin me tren drejt qytetit të Splitit në Kroaci. E atje, arrat shiteshin në pazar në sasi të vogla me gram.
Në tërë këtë organizim merrte pjesë e tërë familja, babai Kadriu, nëna Ismetja, motra Xhemilja, gruaja Salija dhe fëmijët Zijushi, Fatmiri, Flora dhe Bukurija. E tërë familja ishte e angazhuar në të gjitha proceset e përpunimit të arrave që zgjaste nga tre deri në gjashtë muaj përpunim brenda shtëpisë, çdo ditë, duke filluar nga ora 13:00 e deri në orët e vona të mbrëmjes, anëtarët e familjes thyenin arra, ndanin lëvoret anash dhe paketonin arrat e qëruara, duke bërë kështu minimum 10 orë punë, ose aq sa kishin mundësi të qëndronin e të punonin.
Meqë ishte biznes familjar dhe e tërë familja ishte e angazhuar, kishte kosto të vogël të fuqisë punëtore, por ishte biznes shumë profitabil për atë kohë. Ishte biznes që fitohej më shumë se që ndonjë anëtar i familjes të punonte në Gjermani.
Gjatë kësaj kohë, merrej edhe me blerjen dhe shitjen e arpaxhikut, të cilin e blinte në Shkup dhe e shiste në Varazhdin të Kroacisë. Kjo ishte një tregti klasike ku angazhohej vetëm ai dhe kishte fitim të kënaqshëm. Është e rëndësishme të theksohet që në atë kohë blerja e arpaxhikut në Shkup bëhej me kilogram ndërsa në Varazhdin shitej me tas me litra. Transportin e arpaxhikut e bënte me veturën Opel Rekord Karavan, që e kishte sjellë nga Gjermania, e që ishte dhe për bartjen e udhëtarëve dhe adekuate për transport. Në këtë biznes gjithmonë ka punuar në ortakëri me mixhën e tij, Ismail Kadriun, që në Preshevë njihej si Ismail Bixha.
Në vitin 1981 hapi shitoren/ pilarën me pemë, perime e gjëra ushqimore e që furnizohej nga Shkupi, ndërsa për shitoren kujdesej babai Kadri dhe fëmijët që e kishin obligim të punonin në shitore pas përfundimit të mësimit në shkollë.
Në vitin 1986 e bleu shtëpinë te ish tregu i Preshevës prej serbes, Teta Nadë, e që ishte një shtëpi e vjetër me një oborr prej 200m² të cilën e prishi dhe në vitin 1987 nisi të ndërtonte shtëpinë e re, e cila është edhe sot e kësaj dite. Aqifi merrej me mbikëqyrjen e ndërtimit të shtëpisë dhe djali Fatmiri nga kjo kohë filloi të bënte furnizimin e mallrave për shitoren.
Në vitin 1988 pasi përfundoi ndërtimi i shtëpisë, hapi vetëshërbimin e parë në rrethinë me hapësirë prej 150m² që për atë kohë ishte ekskluziv dhe shumë modern, ku njerëzit furnizoheshin me produkte ushqimore, jo ushqimore, pemë, perime e gjëra të tjera të nevojshme për çdo familje. Në këtë vetëshërbim ishte e angazhuar e tërë familja dhe kishte të ardhura të kënaqshme.
Me t’u ndarë Maqedonia nga Jugosllavia në vitin 1992, e mbyll vetëshërbimin dhe në të njëjtin vend fillon një biznes të ri familjar, përkatësisht hapi biznesin për blerjen dhe shitjen e teknikës së bardhë dhe të zezë. Gjatë këtij viti, përpos angazhimit të tërë familjes, u punësua punëtori i parë jashtë anëtarëve të familjes.
Në vitin 1994, duke vizituar panaire të ndryshme, djali Fatmiri dhe Zijushi panë një projekt të ri shumë interesant, e që ishte prodhimi i sanitarisë ku bënin pjesë kadat, tush kadat, lavamanët, pllakat për kuzhinë e shumë produkte të tjera dhe pas një takimi familjar, vendosin që të hyjnë në industrinë e prodhimit. E morën me qera fabrikën e Kristalit në Preshevë dhe vendosën që Fatmiri të niste organizimin dhe punën në prodhim, ndërsa Zijushi dhe motrat të vazhdonin organizimin e shitores së teknikës së bardhë që Aqifi gjithmonë i mbikëqyrte se si ecnin punët. Fillimisht, në fabrikë ishin të punësuar 10 persona, ndërsa në 1996 numri i të punësuarve arriti në 50 punëtorë, që prodhonin dhe shisnin produktet sanitare me shumicë dhe pakicë në tërë tregun e Kosovës dhe të Serbisë.
Në fund të vitit 1996, Serbia kishte embargo dhe nuk kishte të drejtë të importonte produkte të gatshme, kështu që erdhën deri tek ideja e prodhimit të bojlerëve, që ishin mungesë në treg. Në atë kohë, arritën të bëjnë marrëveshje me kompaninë “Gorenje” nga Sllovenia për të filluar prodhimin e bojlerëve me licencë të tyre. Menjëherë e blenë makinerinë adekuate për prodhimin e bojlerëve nga kompania italiane Europianti në vlerë rreth 1 milion marka gjermane të asaj kohe, një linjë komplet e automatizuar me teknologjinë e fundit që kishte kapacitet mujor prodhimi rreth 40.000 bojlerë, që duhej t’i sigurohej treg në Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Vojvodinë.
Deri në vitin 1999, familja punoi shumë mirë me prodhim dhe kishte shitje, mirëpo pas fillimit të luftës në Kosovë, u desh të ndërpritej prodhimi. Pas përfundimit të luftës, “Gorenje” nga Sllovenia kërkoi që kjo familje të merrte përfaqësinë e tyre në tregun e Kosovës me shitje të produkteve të tyre me shumicë dhe pakicë dhe të transferonin fabrikën e prodhimit të bojlerëve në Kosovë.
Pas analizës dhe pëlqimit nga Aqifi, menjëherë pas përfundimit të luftës erdhën djemtë Zijushi dhe Fatmiri në Prishtinë dhe e gjetën një depo me qera nga ndërmarrja “Gërmia” afër hekurudhës në Prishtinë. Në atë kohë vendasi i tyre, Habib Limani ishte sekretar në atë kompani dhe u mundësoi kontratë qiraje për shfrytëzim të hapësirës.
Në vitin 2000 I blenë dy parcela në Veternik, që janë edhe sot. Në njërën parcelë me datën 31.05.2000 filloi ndërtimi I depos prej 3,200m². Finalizimi dhe hyrja në të u bë me 21.12.2000. në hapje të depos erdhi edhe drejtori Branko Apat, që së bashku me Aqifin e bënë prerjen e shiritit.
Në vitin 2002 po në të njëjtën parcelë që ishte ndërtuar depoja, filloi ndërtimi i qendrës 8 katëshe dhe përfundimi u bë në vitin 2005, kur edhe u bë hapja zyrtare si Qendra e parë Tregtare në Kosovë prej 6,000m2. Për hapje dhe për të prerë shiritin ishte prapë Branko Apat, kryeministri i Kosovës, e që në atë kohë ishte Bajram Kosumi dhe vetë, Aqifi.
Në vitin 2015 blenë një tokë prej 40.000m² dhe ndërtuan depon prej 5.000m², është për t’u theksuar që ndërtimi nisi në të njëjtën datë (dita dhe muaji-31.05.2015) dhe përfundoi në po të njëjtën datë si edhe nisja dhe përfundimi i depos së parë. Hapja u bë më 21.12.2015.
Gjatë tërë kësaj periudhe kohore biznesi familjar i eci mbarë e mirë, duke u rritur me punëtorë e me biznese të ndryshme. Përgjatë kësaj kohë janë angazhuar edhe gjenerata e tretë, 4 mbesat dhe 4 nipërit e Aqifit që të gjithë të shkolluar jashtë Kosovës, në vende të njohura ndërkombëtare për të sjellë njohuri të kulturave të ndryshme të biznesit në kompani.
Ermira studioi në Zurich, Zvicër në drejtimin Menaxhment Ndërkombëtar 2006-2009
Rinori studioi në Montreux, Zvicër në drejtimin e Hotelerisë dhe Administrim Biznesi 2009-2012
Riniti studioi në Montreux, Zvicër në drejtimin Marketing 2012-2015
Blenda studioi në Milano, Itali në drejtimin Stiliste e Modës 2013-2016
Florina studioi në Milano, Itali në drejtimin Financa dhe Kontabilitet 2014-2017
Natyra është duke studiuar momentalisht në Munich, Gjermani në drejtimin Burimet Njerëzore nga 2019
Agani është duke studiuar momentalisht në Munich, Gjermani në drejtimin Menaxhment për Zhvillime të reja nga viti 2020
Ndërsa Narti është ende në shkollë të mesme.
Të gjithë që i kanë përfunduar studimet janë kthyer në kompani dhe janë pjesë e saj. Aqifi u pensionua në vitin 2005, mirëpo tash në kompani po vazhdojnë Zijushi, Fatmire, Fatmir, Sevime, Ermira, Rinori, Riniti, Blenda dhe Florina. Në vitin 2020 kompania GNTC Group ka mbi 400 persona të punësuar, shumë nga ata edhe gjenerata e dytë, falë punës dhe kontributet të vazhdueshëm që Aqifi e filloi dhe po vazhdon ndër breza e gjenerata në tërë tregun e Kosovës që ka mbi 11 qendra tregtare dhe mbi 25 partnerë që bën furnizim nga e gjithë bota dhe njihet si një ndër kompanitë e mëdha dhe me emër të mirë në treg.
Në vitin 2017 familja themeloi GNTC Fondi Humanitar që është i regjistruar si fond humanitar edhe në regjistrat shtetërore. Themelimin e fondit e bëri Aqifi dhe që të gjithë anëtarët e familjes janë pjesë themeluese e fondit (Salije, Zijush, Fatmire, Fatmir, Sevime, Ermira, Rinor, Rinit, Blenda, Florina, Natyra, Agan, Nart) që ka për qëllim ndihmën ndaj personave në nevojë, ndihmën mjekësore, sociale e të tjera. Ky fond merr burime nga të gjithë partnerët e kompanisë dhe shpërndan ndihma në tërë Ballkanin. Fondet pranohen dhe shpërndahen vetëm përmes bankës. Çdo kërkesë për ndihmë bëhet vetëm online në faqen: www.gntcfondi.com dhe çdo kush mund të shoh se kush është donator dhe çfarë ndihma janë shpërndarë. Faqja është e përkthyer në 7 gjuhë të ndryshme për shkak të qartësisë dhe sigurisë së njerëzve, si dhe mund të bëhen donacione përmes kartelës drejtpërdrejtë.
Pas pensionimit, në vitet e fundit, Aqifi ishte adhurues i madh I kopshteve dhe kujdesej shumë për drurë dhe lule. Edhe kompania Gorenje u bë një ndër kompanitë më të njohura në treg sa i përket luleve dhe kujdesit ndaj tyre. Çdo vit mbillte lloje të ndryshme të luleve nga e gjithë Kosova dhe kujdesej për të gjitha kopshtet e kompanisë dhe shtëpive private.
Aqif (Kadri) Kadriu nisi biznesin e grumbullimit të arrave, të qërimit e të shitjes së tyre, dhe, me punë e përkushtim ndaj punës dhe familjes, arriti këtu ku është kompania dhe familja e tij, sot.
Aqif Kadriu ndërroi jetë me 22.07.2020. ndërsa pasardhësit e tij, përfshirë edhe gjeneratën e tretë, vazhdojnë punën me përkushtim