Apeli vërteton dënimet ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të tjerë për rastin e gazit lotsjellës

0
688

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti, i kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj, kurse për pengim të personit zyrtar është dënuar me 6 muaj burgim. Ndaj saj, ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Albulena Haxhiu për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim, kurse për pengim të personit zyrtar ishte dënuar me 6 muaj, kurse në fund asaj i ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e katër muaj burgim me kusht.

Faton Topalli ishte dënuar me 1 vit burgim për përdorim të armës, për pengim te personit zyrtar 3 muaj burgim, kurse më pas ndaj tij është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e 2 muaj me kusht.

Ndaj tyre, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër të re penale brenda 2 vjetësh.

Aktakuza ndaj tyre nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është ngritur më 16 dhjetor 2015.

Policia e Kosovës, më 24 nëntor, në hapësirën e jashtme të Kuvendit të Kosovës, kishte arrestuar tre deputetët, Albin Kurtin, Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiun. Për arrestimin e tyre, Policia e Kosovës ishte dashur të përdorë edhe sprejin pasi që kolegët e këtyre deputetëve ishin munduar të mos e lejojnë arrestimin e tyre.

Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre deputetët, por një ditë më vonë, Gjykata e Apelit ua kishte ndryshuar atyre masat e sigurisë.

Ndaj Kurtit dhe Kadaj-Bujupit, ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, derisa Haxhiu ishte lënë e lirë.

Ndërkaq, më 26 nëntor, Lëvizja “Vetëvendosje”, kishte organizuar festë pas numërimit të votave me kusht të cilat e bënin Shpend Ahmetin kryetar të Prishtinës, kurse në atë kremte kishin marrë pjesë edhe Kurti e Kadaj-Bujupi edhe pse ndaj tyre ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Një ditë më vonë, më 27 nëntor, policia kishte arrestuar Kurtin e Kadaj-Bujupin duke i kthyer në paraburgim, ku kjo masë më pas u është hequr më 29 dhjetor, kur edhe kishte përfunduar shqyrtimi gjyqësor./Betimipërdrejtësi