Anulohet gjykimi ndaj ish zyrtarëve doganor të akuzuar për marrje ryshfeti

0
89

Për shkak të rrezikut ndaj virusit COVID 19, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka anuluar gjykimi kundër të pandehurve Alban Krasniqi, Besnik Polloshka, Liridon Borovci dhe Habib Luta, të cilët akuzohen për “Marrje ryshfeti”, raporton Drejtësia Sot.

Anulimi i seancës së sotme është konfirmuar nga stafi mbështetës i gjyqtarës së rastit Nushe Kuka- Mekaj, të cilët për Drejtësia Sot kanë thënë se seanca është anuluar për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Ndryshe, Gjykata e Apelit me datë 12 dhjetor 2019, kishte kthyer në rigjykim këtë çështje penale me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, gjykata themelore nuk ka arsyetuar drejtë faktet vendimtare të rastit, po ashtu nuk është vlersuar drejtë dëshminë e dëshmitarit Fisnik Nuli.

Për këto arsye Apeli ka kërkuar nga gjykata e shkallës së parë që në rigjykim të eliminojë këto shkelje të procedurës penale, duke vlersuar të gjitha provat dhe faktet vendimtare të rastit, e po ashtu edhe pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori Rafet Halimi, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç pretendon Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe për qëllim të përfitimit të dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro./DrejtesiaSot