Antony Blinken zyrtarisht sekretari amerikan i Shtetit

0
29

Senati amerikan konfirmoi sot me shumicë votash emërimin e Antony Blinken si shef i diplomacisë amerikane, gjashtë ditë pas mbërritjes së Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Sekretari i ri i Shtetit, Antony Blinken mori 78 vota pro dhe 22 kundër, një shumicë më e konsiderueshme se e parardhësve të tij republikanë, Rex Tillerson dhe Mike Pompeo (konfirmuar respektivisht me 56 dhe 57 vota pro.

Shumë republikanë votuan në favor të Antony Blinken.

Udhëheqësi i senatorëve republikanë në Komitetin e Punëve të Jashtme, Jim Risch, nënvizoi para votimit mosdakordësinë e tij në lidhje me kthimin e SHBA-së në marrëveshjen bërthamore iraniane, të kërkuar nga presidenti i ri demokrat dhe ministri i tij.

Por përtej kësaj çështjeje, në shumë tema që diskutuam, kishte pak dallime, në mos fare, midis nesh për disa prej tyre”, pranoi i zgjedhuri, i cili votoi në favor të Tony Blinken.

“Ne kemi nevojë për një sekretar shteti. Ai është personi i duhur”, theksoi ai.

Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer theksoi gjithashtu se Antony Blinken ishte personi i duhur për të forcuar pozitat e SHBA-së në skenën botërore./ATSH