Antoneta Kastrati: ‘Zana’ nderon kujtimin e familjarëve të mi dhe të vrarëve të tjerë në luftë

0
264

Arbër Selmani

Takojeni Antoneta Kastratin. Ajo ka plot rrëfime për t’i ndarë me secilin prej nesh, por duke mos folur një në një, ajo krijon filma dhe dokumentarë të cilët më pas prekin sentimentin e botës. Me nënën dhe motrën të vrarë në luftë, për Antonetën vetë lufta është plagë e thellë të cilën ajo e kthen në film, në minutazha të filmit.

Filmi i saj i fundit, ‘ZANA’, është më shumë se një emër i butë i vajzës. Është tregim për luftën, për përvojën e vetë Antonetës. Familja e një gruaje mendon se ajo është pushtuar nga syri i keq, dhe kësisoj drama zhvillohet e fuqishme, e mishëruar, e dhimbshme për ata që mund ta gjejnë veten brenda.

Antoneta është në mesin e atyre regjisoreve që pëlqen shumë të eksperimentojë në filmat e saj. Në përvojën e saj më shumë se një dekadë, Antoneta ka prekur e rrokur shumëkah. KultPlus po e sjellë sot në këtë intervistë regjisoren e njohur e cila ka shumë për të thënë për veten, për gratë, për luftën, për shpresën, për Kosovën.

Po e nisim këtë intervistë me filmin e fundit, ‘ZANA’. Ku e pati synimin të prekë ky film, ku thumboi, dhe a po ia arritë në misionin e tij?

‘ZANA’ është filmi im i parë i metrazhit të gjatë narrativ, me shumë të panjohura dhe sfida në gjithë procesin. Fillimisht, gjatë gjithë kohës së krijimtarisë në skenar, para-produksion dhe xhirim punon dhe jep gjithcka nga vetja duke u bazu plotësisht në një besim të brendshëm që krijimi përfundimtar ka me qenë ai që e sheh në mendje. E gjithë kjo pa garancion që projekti në fjalë ka me mbërri me u kompletu dhe me përçu vizionin që e sheh në kokë. Fakti që arrita me e përfundu filmin ashtu qysh e kam pa kur kam fillu shkrimin dhe arrita me e pasë një premierë në një festival të respektueshëm dhe pritje shumë të mirë nga publiku është arritje e madhe, për mua dhe gjithë ekipin.

Më pas, premiera dhe shikueshmëria në Kosovë ka qenë shumë e veçantë për mua dhe më tepër se sa e kam pritur. 2019 ishte vit shumë aktiv dhe një fillim i suksesshëm për filmin. Reprezentimi i Kosovës në Oscar dhe publiciteti gjatë kampanjës ishte gjithashtu shumë i kënaqshëm. Presim tash që viti 2020 ka me qenë gjithashtu aktiv, i mbushun me festivale dhe shfaqje në kinema botërore ku do të arrijë deri te një audiencë më e gjerë.

‘ZANA’ është një tregim për luftën. Sa është e thellë ndjenja e luftës brenda Antonetës, në aspektin personal, na trego pak se qysh ti e trajton luftën në krijimet tua personale.

Ndjenjat e mia për luftën dhe humbjen që kam pësuar dhe pyetjet e mia rreth saj janë të shtjelluara në filmin ‘ZANA’. Fjalët nuk mjaftojnë me e shpjegu atë cka ndjej në lidhje me këtë temë, për më tepër e reduktojnë atë. Filmi për mua personalisht është medium më adekuat që mund të kapë dhe përçojë atë ndjesi.

A mendon se me këtë film e ke nderuar kujtimin për nënën dhe motrën, dhe familjarët tjerë të zhdukur a të vrarë në luftën e Kosovës?

Fakti që përmes ‘ZANA’ e kam nda një përjetim që ka mbërri me i fut sadopak njerëzit (jo vetëm në Kosovë) brenda një realiteti të randë dhe me e bashkëndje dhimbjen e thellë që lufta shkakton, është më e pakta çka unë mund të bëj ta nderoj kujtimin e tyre dhe të vrarëve të tjerë në luftë. E kam ndjerë disa herë pas shfaqjeve të filmit që ka ndodhë dicka më e madhe me publikun dhe mua, që për momentin efektin e saj ende nuk mund ta kuptoj. Mendoj që koha do të jetë treguesi më i mirë për këtë.

Shumë thonë se është boll me filmat për luftën. A mendon njëjtë Antoneta si regjisore, a është mjaft apo ende ka nevojë për filma ku tregohet plaga e madhe e shqiptarëve?

Së pari, krijimi filmik është diçka shumë subjektive dhe personale dhe mënyra se si ne si skenaristë apo regjisorë vendosim se çfarë teme dhe tregimi të shtjellohet në filmat tanë ka të bëjë shumë pak me nevoja kolektive dhe statistika. Tjetra, nuk e di pse ekziston bindja qe janë ba filma shumë për luftën në Kosovë. Cilët filma? Është fakt që janë ba disa filma të shkurtër për luftën, me tregim gjatë luftës. Mirëpo filma të metrazhit të gjatë janë bërë disa, vetëm për pasojat e luftës, ku zë vend edhe filmi im ‘ZANA’. Unë nuk e di një film në vitet e fundit me vendngjarje në luftë. Për më shumë, unë mendoj që ne veç sa kemi nisë me u marrë seriozisht me këtë temë, veç sa kemi nisë me gërvishtë sipërfaqen.

Ka tregime, shtresa dhe perspektiva të shumta që mund të shtjellohen dhe besoj që kemi me pasë edhe më shumë filma të tjerë në të ardhmen. Për gjeneratën tonë lufta ka ndodhë në një periudhë më të ndjeshme tonën, kur ne ishim tinejgjerë dhe ka pasë ndikim drastik në formësimin tonë si individë, normalisht që do ta shtjellojmë këtë temë në filmat tonë. Lufta vazhdon të jetë dështimi më i madh njerëzor, pasojat e së cilës kurrë nuk shërohen dhe ndihen me gjenerata. Dhe, përderisa lufta vazhdon të ekzistojë në realitetin tonë njerëzor, do të ketë filma për luftë.

A ka tregime në popullin shqiptar që ende Antoneta nuk i ka parë të vizuelizuara dhe do të donte ti krijonte vetë?

Ka shumë tregime në Kosovë që do të doja me i shtjellu në film. Shpresoj qe në të ardhmen (jo menjëherë) do të kthehem dhe ta realizoj një film tjetër në Kosovë.

Pse mendon se gratë regjisore shqiptare po tregojnë fuqi të madhe regjisoriale viteve të fundit?

Së pari, është ndjenjë e mirë të jem pjesë e një fryme të re të regjisoreve në Kosovë, e veçanërisht gjeneratës së parë të regjisoreve gra të cilat kanë mbërri shumë në skenën ndërkombëtare. Është shumë frymëzuese. Kudo që shkoj në festivale dëgjoj për filmat nga Kosova nga regjisore femra. Arsyeja kryesore është se gratë për herë të parë kanë qasje dhe mundësi me ba filma. Tjetra është se gratë regjisore janë dukë sjellë tregime dhe qasje të cilat nuk ka qenë prezente më herët. Me këtë sjellin ndjeshmëri dhe estetikë prej një perspektive tjetër. Mendoj që në përgjithësi është një ringjallje e kinematografisë në Kosovë dhe mezi pres të shoh filmat tjerë të radhës që janë në post-produksion.

Sa e madhe është fuqia e një filmi në një shoqëri të vogël sa Kosova?

Për shkak se Kosova është vend i vogël dhe filmi ka stagnu për një kohë të gjatë, shihet një entuziazëm dhe ndikim shumë më i madh tek njerëzit. E pamë me filmin ‘Martesa’ dhe filma të tjerë sa ishte ndikimi pozitiv në shoqëri veçanërisht në thyerjen e barrierave tek njerëzit.

Pse kthehesh gjithmonë në Kosovë për filmat e tu, edhepse jeton jashtë Kosovës. A nënkupton kjo që ti e sheh Kosovën gjithmonë si një observerë, si sy i tretë i realitetit?

Kosova është vendi ku kam shpenzu kohën më të madhe të jetës sime, është vendi ku jam rritë dhe formësu dhe nuk e shoh veten të ndarë nga Kosova. Si krijuese gjithmonë nisesh nga diçka që e njeh, ose jemi kurioz të mësojmë më shumë. Kjo është arsyeja pse unë kthehem dhe bëj tregime të Kosovës pasi që dua të sjell diçka të vërtetë në krijimtarinë time.

Mirëpo në anën tjetër temat qe i trajtoj janë universale dhe nuk i shoh të ndara nga pjesa tjetër e botës dhe gjendja njerëzore. Është vetëm se i tregoj nga një lense specifike nga ku unë vij. Ndihem plotësisht pjesë e botës (qytetare globale) dhe ashtu i qasem edhe krijimtarisë.

Si ishte në përgjithësi viti 2019-të për karrierën e Antonetës, një vit i frytshëm me plot projekte filmike…

2019 ishte vit shumë aktiv, me shumë sfida për përfundimin e filmit. ‘ZANA’ ishte projekti më i gjatë dhe i vështirë për mua në të gjitha aspektet. Më në fund, ishte ndenjë shumë e mirë të kem premierën në TIFF dhe suksesin që ‘ZANA’ e pati.

A është Antoneta feministe dhe a reflektohet ky feminizëm në projektet tua filmike. A do të duhej që regjisoret femra të ndiheshin të obliguara të avokonin me anë të projekteve të tyre.

Po normalisht, fakti qe jam grua dhe jetojmë ende në një botë të pabarabartë gjinore automatikisht më bën feministe përndryshe do të isha kundër vetvetes dhe mirëqenies sime. E pyetja se a ishin dashtë regjisoret gra me avoku për të drejtat të grave, mendoj që këto nuk janë të ndara njëra nga tjetra. Vetë fakti që janë gra në rolin e skenaristes ose regjisores dhe tregojnë tregime nga perspektiva e tyre është në vetvete avokim. Perspektiva feministe është e mishëruar në krijimtarinë dhe qasjen tonë.

Në çka po punon aktualisht Antoneta, a do të mbetesh ende në temat e kontekstit shqiptar apo…?

Filmi im i radhës do të jetë në Los Angeles. Mirëpo mund të ketë projekte tjera ndoshta, dokumentarë në Kosovë.