Anton Quni ka dy fjalë për Aleksander Vuçiqin, pas kërcënimit me luftë

0
108

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Quni përmes një postimi në Facebook ka thënë se populli i Kosovës donë të jetojë në paqe.

Ai ka shtuar se nëse lufta është e pashmangshme, Kosova si çdo herë do të fitojë, ndërsa porositi serbët që të mos e harrojnë “ferrin e Koshares”.

“Fare nuk jemi të interesuar për luftë, duam të jetojmë në paqe, por nëse lufta është e pashmangshme, ne si çdo herë do të fitojmë. Mos e harroni ferrin e Koshares”, shkruan Quni në Facebook, ku ka shpërndarë edhe një fotografi nga koha e luftës së fundit në Kosovë.

Ndryshe, presidenti i Serbisë paralajmëroi sot se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, Aleksandar Vuçiq është zotuar se çfarëdo që të ndodhë me bisedimet në Bruksel, Beogradi do të vazhdojë të forcojë veten ekonomikisht dhe ushtarakisht për të siç tha ai “të mbrojë vendin në çdo moment nga çdo agresor i mundshëm”.

“Për mua, është e rëndësishme t’ju them se konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se si një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzohet në një katastrofë të vërtetë”, thotë Vuçiq.

“Njëra prej tyre është që ne nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë. Kompromisi nuk do të thotë që ne do ta arrijmë atë, duhen dy anë”, thotë ai.

Siç deklaron ai më tej, bota, përveç deklaratave, nuk është e gatshme të reagojë, dhe çfarëdo që të ndodhë – në fund të fundit ju duhet të mbështeteni në forcën tuaj.

“Kjo është arsyeja pse Serbia do të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht”, citohet të ketë thënë Vuçiq.