Anglia ndal serinë e shkëlqyeshme të Dardanëve

0
80

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshje me gjigantin botëror, Anglinë, me rezultat 5:3, por ka lënë mbresa me paraqitjen e treguar sidomos në pjesën e dytë.

Mbi 30 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin “St. Mary’s”, prej të cilëve edhe shumë shqiptarë ishin dëshmitar të një loje të bukur të futbollit, të cilën në fund e fituan ata që edhe ishin favoritë.

Kësisoj, Anglia ia ndali Dardanëve serinë e shkëlqyeshme prej 15 ndeshjeve pa humbje, mirëpo ishte pikërisht Kosova, e cila ia shënoi “Tre Luanëve” tre gola, gjë e cila nuk iu kishte ndodhur që nga viti 2007 në ndeshjen me Kroacinë.

Dardanët e nisën shkëlqyeshëm ndeshjen dhe qysh pas 50 sekondave lojë realizoi Valon Berisha, pas asistimit të Vedat Muriqit. Megjithatë, gëzimi i tanëve nuk zgjati shumë, ngase Raheem Sterling barazoi shifrat në minutën e 8-të.

Ndërkohë, Harry Kane në minutën e 19-të e përmbysi rezultatin, derisa më pas në minutën e 38-të Mërgim Vojvoda shënoi autogol.

Presioni i anglezëve vazhdoi edhe në minutat e fundit të pjesës së parë dhe si rrjedhojë Jadon Sancho shënoi dy gola në minutat 44-të e 45-të. Megjithatë, futbollistët tanë nuk u dorëzuan dhe në pjesën e dytë e filluan furishëm, ku sërish ishte Valon Berisha, i cili e gjeti golin, kësaj radhe në minutën e 49-të.

Shpresat e Dardanëve për të bërë diçka më shumë i rriti Vedat Muriqi, me penalltinë e shënuar në minutën e 55-të. Loja e mirë e tanëve dhe vetëbesimi tek ta u rrit veçmas pas penalltisë së mbrojtur nga Aro Muriç në minutën e 65-të, të cilën e gjuajti Hary Kane.

Megjithatë, deri në fund më nuk pati gola dhe kësisoj anglezët iu gëzuan fitores së radhës, derisa Dardanëve u mbetet të përqendrohen tashmë në sfidat e radhës. Kosova tani zbret në pozitën e tretë me 8 pikë, pasi Çekia shënoi fitore si mysafire kundër Malit të Zi.