Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Nuk është koha për dallime politike, përqendrohuni në nevojat e qytetarëve

0
298

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka kërkuar nga liderët lokalë e rajonalë që të mos kenë dallime por të punojnë në shërbim të qytetarëve për të luftuar virusin Covid-19-të.

Në një deklaratë të lëshuar, duke përmendur dhe një mesazh të Presidentit amerikan Donald Trump, Ambasada e SHBA-së, apelon që liderët t’i lënë menjëanë dallimet politike.

”Virusët nuk njohin kufi. Tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike vendore dhe rajonale të mos lejojnë që t’i ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë kohë të nevojës kolektive”.

”Siç edhe ka thënë Presidenti Trump rishtazi:

”Të gjithë ne jemi në këtë së bashku. Ne duhet ta lëmë politikën mënjanë, ta ndërprejmë mendje-ngushtësinë, dhe të bashkohemi gjithë së bashku si një komb dhe një familje. E ardhmja jonë mbetet më e ndritshme sesa mund të imagjinohet. Duke vepruar me dhembshuri dhe dashuri, ne do të shërojmë të sëmurët, do të kujdesemi për ata në nevojë, do t’i ndihmojmë bashkëqytetarët tanë dhe do të dalim nga kjo sfidë më të fortë dhe më të unifikuar se kurrë më parë”, citohet mesazhi i Trump.

”Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve lokalë dhe ata në rajon që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre. Të punosh së bashku dhe të mbështesësh njëri-tjetrin është përgjigjja ndaj kësaj sfide”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.