“Ambasada e Gjermanisë ka bërë të mundur që standardet e sistemit të ri të drejtësisë në Kosovë të përafrohen me kriteret e Bashkimit Evropian”

0
81

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka pritur në takim njoftues Ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Ministri Selimi fillimisht i uroi mirëseardhje Ambasadorit Rohde dhe ritheksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me shtetin dhe ambasadën gjermane e cila përmes përkrahjes dhe asistencës së ofruar ndër vite ka bërë të mundur që standardet e sistemit të ri të drejtësisë në Kosovë të përafrohen me kriteret e Bashkimit Evropian.

Në bisedën e zhvilluar në kuadër të këtij takimi, përveç çështjeve të reformës në drejtësi dhe implementimit të saj, Ministri Selimi e ka njoftuar ambasadorin Rohde me përpjekjet në luftën kundër korrupsionit si dhe me një sërë projektesh të cilat planifikon t’i realizojë gjatë mandatit të tij me qëllim të fuqizimit të shtetit të së drejtës.

Ambasadori Rohde ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm në mes të ambasadës gjermane dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe ka theksuar se edhe gjatë mandatit të tij do të vazhdoj të mbështes projektet të cilat kontribuojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit.

Në fund të takimit, të dyja palët theksuan rëndësinë̈ e intensifikimit të marrëdhënieve të mira si vazhdimësi e raporteve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Gjermanisë.