Ambasada Amerikane në Prishtinë dhuron donacion për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

0
174

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pranuar një donacion prej 29 laptopësh nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, të cilët do të jenë në shërbim të institucionit të Prokurorit të Shtetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Ceremonia e nënshkrimit të këtij donacioni është zhvilluar ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe përfaqësueseve të Ambasadës Amerikane në Prishtinë të kryesuar nga Drejtori i Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Shawn Waddoups, i cili ka deklaruar se ky donacion ka për synim që të rrisë kapacitet e punës së prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave.

Qëllimi i këtij donacioni nga Ambasada Amerikane për institucionin e Prokurorit të Shtetit është që t’iu ndihmohet prokurorëve dhe ndihmësve të viktimave që rastet e dhunës në familje të adresohen edhe jashtë orarit të punës, duke iu përgjigjur kështu me urgjencë nevojave të viktimave që kanë pësuar nga aktet e dhunës në familje, veçanërisht gjatë pandemisë me COVID-19.

Këta laptop të shpërndahen në prokuroritë rajonale për t’u përdorur nga prokurorët në detyra përkatëse si dhe për ndihmësit e viktimave. Po ashtu, parashihet që disa laptop të shpërndahen edhe për prokurorët e Prokurorisë Speciale, Prokurorisë së Apelit dhe për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurori Lumezi ka falënderuar Ambasadën Amerikane në Prishtinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme dhënë sistemit prokurorial si dhe ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen në funksion të forcimit të institucioneve të drejtësisë.