“AMA NJË “PRASHAK” (PLUHUR) PËR DHIMBJE”

0
386

Nga Mr.ph Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

Fillimisht të tingëllon aq rëndë kur të kërkohet një bar në një gjuhë e cila na lëndon aq shumë tek e dëgjojmë, dhe them me vete se kur do të çrrënjoset tërësisht edhe nga fjalori ynë, një gjuhë e cila na hapë shumë plagë. E dyta, nuk të respektojnë fare si farmacist dhe fatkeqësisht në sytë e tyre je thjeshtë një “shitës” i barit, dhe po i këshillove do të të thonë se ne e dijmë më mirë se ju, mos i’u bën më shumë juve se sa neve për shëndetin tonë, nuk të pyesin fare se sa “prashakë” mund ti pijnë brenda ditës, e lëre më për dëmet që mund t’ju shkaktojnë. E dhimbshme!

Duke dashur që të mos bëhem kritikuese, as përqmuese e as e rreptë ndaj popullit tim, do të mundohem të jem këshilluese për të mirë, me aq dije profesionale sa kam.

” Prashaku” më i njohur në tregun tonë cili u takon barnave anti-inflamatore josteroide ( NSAID) është NIMESULIDI ( emra tregtarë : Sulidamor, Algolider, Sulidor ), i cili realisht duhet të përdoret për të trajtuar dhimbjet akute të lidhura me osteoartritin ( sëmundje reumatike), poashtu tek dhimbjet e forta të shkaktuara pas tendosjes së muskujve dhe nyjeve, si dhe tek sindroma premenstruale. Asesi të përdoret ndër moshën 12 vjeçare.
Kohëzgjatja e përdorimit për një trajtim, nuk duhet të jetë mbi 15 ditë rresht.

Ndërsa tek ne, është bar “çudibërës” për çdo dhimbje, madje ju ipet fëmijëve (duke u dhënë gjysmën e qeses në formë pluhuri, në të cilën nuk mund të dihet saktë as çfarë sasie e barit ka rënë).

Përveq kësaj, ky bar ka një sërë efektesh anësore dhe ndërveprimesh me barna tjera, gjë që tek ne as që vihet në dyshim dëmi që mund ti bëhet organizmit me të, por rëndësi ka vetëm që t’ju kalojë dhimbja e siq thotë populli “shnosh kofshim” pastaj!

Poashtu, kur mjeku e përshkruan këtë bari, reagimi i pacientit është total shpërfillës ndaj mjekut “a kto mi ka shkru aa, kam plot n’ shpi”, duke aluduar se mjeku se paska pasur fare idenë të më shkruajë një bar të mirë sipas tyre!

Efektet anësore të tij janë:

– Dhimbje lukthi, rritje e aciditetit në lukth, marramendje, të përziera dhe të vjella, çrregullim në kuagulimin e gjakut, çrregullime të mëdha të mëlçisë etj.
Simptomat si skuqje të lëkurës, dhimbje koke, ënjtje etj, duhet të raportohen mënjehrë tek mjeku.
Pra, duhet kujdes i shtuar tek personat që e marrin me nevojë dhe që ua ka përshkuar mjeku, e lëre më të tjerët që e kanë “ushqim” të përditshëm !

Ndërveprimet:
Ndërvepron me alkoolin, duke shkakuar efekte anësore të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme në mëlçi, kur mirren të dyja së bashku.
Ndërvepron me këto barna: ketokonazol, methotrexat, warfarinë, amoksicilinë + acid klavulanik.

Kujdes të shtuar ndaj këtij bari:

– Personat me sëmundje të rënda të mëlçisë ( simpotomat si: ethe, skuqje, urinë e errët, nauze, duhet raportuar mënjeherë mjekun).

Shtatzënia – Ky bar nuk rekomandohet për gratë shtatzëna ose planifikojnë shtatzëni në një të ardhme të afërt. Ky bar mund të shkaktojë efekte të dëmshme në zhvillimin e fetusit, sidomos gjatë tremujorit të fundit të shtatzënisë.

Gjidhënia – Ky bar nuk rekomandohet gjatë gjidhënies.

Sëmundja gastrointestinale – Ky bar mund të shkaktojë gjakderdhje në zorrë dhe prandaj duhet të përdoret me kujdes të shtuar.

Sëmundja e zemrës – ky bar duhet të përdoret me kujdes nëse vuani nga çrregullimi i zemrës.

Të moshuarit – Efektet anësore të këtij bari mund të jenë më të rënda tek njerëzit e moshuar. Para marrjes së këtij bari, duket të keni parasysh rrezikun e lartë të efekteve të padëshiruara në zemër, në mëlçi dhe në veshka.

Sëmundja e veshkave – ky bar është i njohur për të shkaktuar efekte të padëshirueshme në veshka, sidomos nëse përdoret për kohë të gjatë.

Pra, “prashaku” i cili kërkohet me ngjyrat ” i murrë, i verdhë, i kaltër, i kaftë ” është shumë dëmtues nëse vazhdon të mirret pa kontrollë!

Kujdesuni për shëndetin tuaj, marrja e barnave të tilla pa nevojë mund të çojë në dëmtime të pakthyeshme. Kërkoni sqarime shtesë nga profesionistët në barnatoret tona, kërkoni praninë e farmacistit në barnatore, sepse të gjithë jemi ngapak fajtorë për marrjen dhe dhënien e barnave të tilla.
Të jemi sa më bashkëpunues me njëri tjetrin dhe në këtë formë do e ruajmë shëndetin e popullit tonë. Ura lidhëse pacient- mjek- farmacist, duhet të jetë në veprim të plotë dhe të dihet qartë roli i secilit profesionist.
Mos të kursehemi që të këshillojmë tjerët nga dija jonë, zaten është kënaqësi e madhe nëse vetëm një njeri përfton nga një këshillë, e mos të harrojmë se kënaqësia që na ofrohet tek ndihmojmë tjerët, nuk zëvendësohet me asnjë kënaqësi tjetër!