Albin Kurti: Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme, e padobishme

0
56

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka folur për masat që ka ndërmarrë  Qeveria e Kosovës në parandalimin e Virusit Corona COVID-19, për shkarkimin nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, për bisedën telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, z. Borell dhe për zhvillime të tjera politike në vend, me theks raportet me partnerin e koalicionit qeverisës.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti

 

 

Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,


Si Qeveri e re e Republikës së Kosovës jemi shembull jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për ballafaqimin e suksesshëm me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, përkatësisht Coronavirusit dhe për këtë gjë unë dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës, të cilët kanë respektuar vendimet e Qeverisë dhe kanë ndjekur udhëzimet e ekspertëve.


Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një disiplinë shoqërore e qytetare e cila ka bërë që sot në Kosovë të kemi jo më shumë se 20 të testuar pozitivisht me Coronavirusin, nga të cilët vetëm njëri, një burrë i moshuar 77 vjeçar ka maskë oksigjeni, por jo makinë respiratori dhe që të gjithë të tjerët nuk janë as për së afërmi në rrezik jete.

Me këtë rast duhet theksuar se dy prej tyre janë liruar dje në shtëpi për trajtim shtëpiak në vetë izolim, në vetkarantinim, ndërkaq katër të tjerë këtë e kanë bërë më herët.


U jam mirënjohës e falënderues mjekëve e infermierëve tanë, policëve e ushtarëve tanë, farmacistëve dhe të gjithë punëtorëve nëpër markete që shesin gjësende ushqimore, shpërndarësve të ushqimit e të barnave, u jam mirënjohës doganierëve e inspektorëve dhe i falënderoj punëtorët në prodhim e ata në ndërtimtari, të cilët në njërën anë po e mbrojnë shëndetin e njerëzve, ndërkaq në anën tjetër po e mirëmbajnë shëndetin e ekonomisë sonë.


Edhe shëndeti i njerëzve, edhe shëndeti i ekonomisë janë në fokus të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e cila ka koordinuar ministritë, mekanizmat shtetërorë, deri te organet e reja që ka krijuar për parandalimin e shpërndarjes e përhapjes së Coronavirusit.


Republika e Kosovës i ka dikund rreth 130 respiratorë, dhe për fat të mirë nuk kemi asnjë rast të rënd që këta respiratorë, ndonjëri, prej këtyre respiratorëve të përdoret.

Duke pas parasysh se në çfarë gjendje e kemi gjetur sistemin shëndetësorë, parandalimi është jetik. Pra, vetizolimi në njërën anë dhe higjiena në anën tjetër.

Qytetarët kanë treguar kulturë dhe vetëdije të lartë dhe unë ju bëj thirrje edhe njëherë që edhe të vazhdojmë ta mbajmë atë, por edhe ta rrisim edhe më tej në mënyrë që ta ruajmë veten e ta mbrojmë njëri-tjetrin.


Në ditën e djeshme kishim një zhvillim të pazakontë meqenëse presidenti i Republikës së Kosovës u angazhua për t’u shpallur gjendja e jashtëzakonshme në Republikën tonë.


Kishim edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë raportet ditore të së cilit unë i marr përditë si kryeministër i Republikës së Kosovës.


Në këto raporte këto ditë ka një gjë të përbashkët, te konkluza mbi gjendjen e sigurisë është ngjyra e verdhë. Është e vërtetë që nuk është ngjyra e gjelbër, sikurse para një muaji, mirëpo nuk është as ngjyra e portokalltë as ajo e kuqe, pra është ngjyra e verdhë.

Situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme.

Mirëpo, përkundër kësaj pikërisht në Këshillin e Sigurisë u propozua që të kemi shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit.

Për bindjen time të fuqishme kjo është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme, e padobishme.


Andaj, edhe në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme e përsërita qëndrimin tim si kryeministër i Republikës së Kosovës se i kemi marrur të gjitha masat e nevojshme dhe nuk jemi në shfrytëzimin e të gjitha masave të mundshme për parandalimin e shpërndarjes së infeksionit të virusit Corona.


Në anën tjetër kishim një insistim të parapërgatitur me tekste të gatshme që me çdo kusht të shkohet me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

 

Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë i udhëheq kryeministri i Republikës së Kosovës.

 

Unë isha shumë kooperativ, meqenëse mbledhjen që u kërkua mbrëmë brenda pak orëve e thirra për orën në të cilën ajo ishte kërkuar, ndonëse nuk ekzistonte urgjenca për një gjë të tillë.


Tash ne e dimë që jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës për kërkesën e presidentit të Republikës së Kosovës për dekretin e tij të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

 

Unë edhe sot jam i bindur se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, është e mundshme që një nevojë e tillë të shfaqet në javët në vijim. Unë punoj, e uroj e lutem që kjo të mos ndodhë, mirëpo jam i bindur se as mbrëmë, as sot nuk kemi arsye për një gjë të tillë.


U shpreha edhe në mënyrë kolegiale në mbledhje se pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë jetojmë në Prishtinë, dhe përbrenda orës mund të mblidhemi nëse shfaqet nevoja për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.


As Policia e Kosovës, as Forcat e Sigurisë së Kosovës, as ministritë e tjera nuk i kanë shterur mundësitë e kapacitetet e tyre dhe aq më pak kanë dështuar në përdorimin e mundësive dhe kapaciteteve të tyre që të themi tash se na u dashka të marrim këtë masë ekstreme si gjendja e jashtëzakonshme më në skaj të së cilës nuk mund të shkosh më.

 

Pra, ishte e palogjikshme, e paarsyeshme, e papërgjegjshme dhe e padobishme një kërkesë e tillë.


Natyrisht që unë vazhdoj komunikimin edhe bashkëpunimin me të gjithë krerët e institucioneve sepse një gjë e tillë është obligim i imi si kryeministër dhe interes i vendit tonë si Republikë demokratike.


Duhet të theksoj se pas mbledhjes së mbrëmshme, unë nuk i kam ndjekur menjëherë deklarimet, por ato i kam parë në mëngjes sot dhe në mesin e atyre deklarimeve natyrisht se kryesore ishte ai i ish-ministrit të Brendshëm, Veliu, i cili në mesnatë në një televizion të Kosovës ka përhapur panik duke thënë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë.


Natyrisht që këta 19 të infektuar deri mbrëmë nuk ishin për 19 orë, për më pak se një ditë, mbase ishin për 19 ditë, por jo për 19 orë.


Të thuash pa kurrfarë evidence, pa kurrfarë baze shkencore, pa kurrfarë raporti zyrtar a institucional se numri i të infektuarve po shtohet nga ora në orë është e papërgjegjshme, e kur ke edhe përgjegjësi ekzekutive është e dënueshme.


Së dyti, përveç që u gënjye drejtpërsëdrejti në transmetim televiziv në drejtim të frikësimit dhe shtimit të panikut aty ku ai mund të ketë ekzistuar ose krijimit ku ai s’ka ekzistuar. Ne pyetjen shumë të qartë të gazetarit “A jeni për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme?”, ish-ministri tha “Po, sigurisht.”. Kjo është e palejueshme dhe unë nuk kisha zgjidhje tjetër sot, përveçse ta lirojë nga detyra ish-ministrin Veliu.

Më shumë së gjysmë ore paraprakisht e kam njoftuar kryetarin e LDK-së dhe kam kërkuar një emër tjetër për ministër të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Pra, nuk kam zëvendësuar ministrin me një që unë mund të preferoj, por kam kërkuar një emër tjetër prej atij i cili shprehu një tradhti të dyfishtë. Tradhti ndaj qeverisë ku bën pjesë dhe gjithashtu tradhti ndaj Policisë së Kosovës. Sepse, të jesh ministër i Punëve të Brendshme dhe të kërkosh kokë më vetë shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, do të thotë ta përçmosh policinë tënde e cila ka kryer në mënyrë të shkëlqyeshme detyrat që janë bërë.


Në Policinë e Republikës së Kosovës vazhdon orari 8-orësh. Nuk kemi kaluar madje as në orarin 12-orësh. Policia së pari nuk është në gjendje të jashtëzakonshme, pse u dashka të shpallet gjendja e jashtëzakonshme!? Kapacitetet dhe mundësitë e Policisë së Kosovës janë shumë më të mëdha se që i përdorim ne edhe sonte. Pse pa u shfrytëzuar Policia maksimalisht na u dashka ta sabtojmë me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme? Kjo është e pashembullt, është tradhti ndaj vetë Policisë së Kosovës që ka kryer punën shkëlqyeshëm, duke respektuar dhe zbatuar detyrat e urdhrat që i janë dhënë asaj.

Gjatë tërë kësaj kohe sa ishte ministër ish-ministri vetëm një mbledhje e ka mbajtur lidhur me parandalimin e përhapjes së virusit Corona. Vetëm një mbledhje në ministri. Tradhtia e tillë e dyfishtë ndaj qeverisë ku ishte anëtar dhe ndaj policisë në krye të së cilës u vu, nuk mund të tolerohej.

Natyrisht që edhe ne kur e luftojmë krimin e korrupsionin, me aq sa mundemi tash për tash në një shtet i cili ende ngelet i kapur, sepse vetëm Qeveria ka ndërruar, kundërshtarët përpiqen që të fshihen dhe streha e tyre janë thirrjet dëshpëruese që si beson më askush për kinse anti-amerikanizimin e kryeministrit. Këto i kanë thënë edhe kur ka filluar Lëvizja VETËVENDOSJE!, edhe kur unë tash punoj e veproj si kryeministër i Kosovës. Janë të njëjtat thirrje të dëshpëruara. Kosova është mbase vendi më pro amerikan në botë, Kosova është shteti në të cilin Amerika ka ndër ndikimet më të mëdha në botë. Si bëhet që një politikanë që paska qenë anti- amerikan fitoi zgjedhjet. Këto si beson më askush. Nuk i besojnë as ata që i flasin e i thonë. Kjo është streha për diçka tjetër.

Shkarkimi i bordeve, përgjysmimi i pagave, që ka bërë kjo qeveri, për vetveten, e për qytetarët, sepse duhet rregulluar ndërmarrjet publike, sepse duhet të marr fund nepotizmi, sepse duhet zhvilluar vendi, natyrisht se cenojnë shumë interesa, dhe ashtu sikurse që kemi përpjekje për t’u strehuar nga opozita e sotme, ashtu mund të kemi dikë edhe i cili është jashtë opozitës. Sidoqoftë unë nuk i konsideroj ministrat të kësaj partie apo të asaj partie, të VETËVENDOSJE!-s, apo të LDK-së, madje dy ministra që kam propozuar unë kur kemi formuar koalicionin qeverisës nuk janë fare të subjektit politik ku jam kryetar. S’kanë librezë të VETËVENDOSJE!-s fare. Pra, unë të gjithë ata i kam konsideruar dhe i konsideroj si pjesë të të njëjtit ekip ku jemi bashkë me programin tonë qeverisës dhe me premtimet tona parazgjedhore. Ky është udhërrëfyesi dhe principi ynë, por njëkohësisht edhe aty e gjeni synimin e objektivat tona.


Ne kemi, duam dhe do të kemi marrëdhënie të mira partneritet të gjerë dhe aleancë të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të dhe BE-ja, Amerika edhe Evropa na nevojiten që të dyja. Ne nuk kemi zëvendësim për to dhe ato nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën. Është gabim jo vetëm i politikës së jashtme, por edhe kombëtarë e historik, të thuash PO Evropa e JO Amerika, apo PO Amerika e JO Evropa. PO Amerika edhe PO Evropa, që të dyja. Lidhja trans-atlantike është jetike për Kosovën si Republikë e për shqiptarët si komb.


Sot kam pasur një bisedë telefonike rreth gjysmë orësh me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politike të Jashtme, z. Borell, me të cilin kemi diskutuar për masat dhe përpjekjet tona për parandalimin e Virusit Corona, për sukseset dhe të arriturat tona dhe për ndihmën e përkrahjen që kemi nevojë. Në çështjen e dialogut, unë e informova z. Borell me një model që do ta zbatojmë, e ky është i dy ekipeve të Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Njëri politik e përfaqësues, tjetri këshillues e profesional. Ekipi politik e përfaqësues do t’i kishte 10 anëtarë gjithsej, 9 të tjerë përveç kryesuesit, Kryeministër. Do të ishte Presidenti i Republikës, në këtë rast z. Thaçi, Kryetarja e Kuvendit, në këtë rast znj. Osmani dhe nga një përfaqësues i partive të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pra i partive parlamentare. Unë, Presidenti, Kryetarja e Kuvendit dhe 7 të tjerë, përfaqësuesi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i  Lidhjes Demokratike të Kosovës, i Partisë Demokratike të Kosovës, i koalicionit AAK-PSD, i koalicionit Nisma-AKR, i Listës Serbe dhe i Grupi 6+ të pakicave joserbe.

 

Në këtë mënyrën ky ekip prej 10 anëtarëve do të ishte reprezentativ dhe kredibil. Ndërkaq, ekipi tjetër këshillues-profesional do të ishte me ekspertë të fushave të ndryshme për temat e çështjet të cilat do të ngritën gjatë dialogut të ardhshëm.


Sa i përket tarifës, unë kam shprehur qëndrimin tim që besoj edhe sot e kësaj dite është edhe më i miri, edhe më i drejti, edhe më i dobishmi. E ky është zëvendësimi gradual i tarifës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë me reciprocitetin karshi Serbisë, me ç’rast ne do të bënim hapin e parë si gjest të vullnetin të mirë e të vazhdojmë më pas me të tjerët duke parë edhe reagimin e palës tjetër.


Serbia duhet të ndalë fushatën kundër Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, por gjithashtu edhe duhet t’i ulë të gjitha barrierat jotarifore që i mbanë lartë ndaj nesh, duke krijuar një dosje të trashë të shkeljeve të marrëveshjes CEFTA.

Madje, edhe ambasadori amerikan në Berlin, z. Grenell e ka vlerësuar propozimin tim si gjysmë masë, ‘half measure’, gjysmë masë, pra nuk është ‘zero measure’, është ‘half measure’, është gjysmë masë. Më mirë gjysmën, se fare, edhe gjysmën drejt krejt, por në ndërtim të mirëbesimit në proces e sipër. Ky është qëndrimi dhe kjo është qasje më racionale në kontestin aktual ku ndodhemi.