Albin Kurti priti në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së

0
52

Sot, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave dhe Transfereve, z. Besnik Bislimi, pritën në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, z. Christian Heldt, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, z. Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova.

Së pari, Kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 si dhe mbi vendimet e fundit për lehtësimin gradual të masave. Këto vendime kanë për qëllim rihapjen e ekonomisë, e cila sikurse shëndeti publik është rrezikuar e dëmtuar nga pandemia.

Palët diskutuan për situatën aktuale politike në Kosovë, gjersa presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ambasadorët shprehën nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend.