Albanologu dhe përkthyesi suedez, Ullmar Qvick flet për disa probleme gjuhësore

0
237

Ullmar Qvick

DISA PROBLEME GJUHËSORE
Po e vras mendjen shumëherë rreth problemeve të ndryshme gjuhësore. Një prej tyre ka të bëjë me drejtëshkrimin shqiptar.
Alfabeti shqiptar, i krijuar në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 është një instrument i përsosur gjuhësor. Në këtë rast prapambetja kulturore e shqiptarëve ndër shekull u bë përparësi! Duke nxjerrë fitim nga gjendja e gjuhëve të tjera dhe drejtëshkrimi i tyre, intelektualët shqiptarë të kohës krijuan një alfabet fonetik me vlerë për të ardhmen. Fjalori i shqipes së shkruar, i bazuar në këtë alfabet, ka shumë merita kur e krahasojmë me fjalorët e frengjishtes dhe anglishtes – dhe me atë të suedishtes! Drejtshkrimi në fjalorët në gjuhët e përmendura ka shumë forma të vjetëruara dhe shumë herë jemi në hall në lidhje me shqiptimin e tyre. Sidomos anglishtja ka një gjendje të anarkisë gjuhësore!

Nga ana tjetër krijimi i gjuhës së njësuar në vitin 1972 rezultoi jo vetëm në suksese të dukshme për stabilizimin e gjuhës së shkruar por edhe në dobësi, të mos themi gabime. Largimi i paskajores nga gjuha e shkruar ishte një gabim flagrant! Paskajorja është element përbërës i gjuhëve të qytetëruara. Më duket se si faktori politik, me “respektin” për partinë me bazë në jug të vendit, kishte efekt të dëmshëm në këtë rast.

Pranoj pa rezerva se varianti tosk ka shumë të mira për të formuar një gjuhë të njësuar. Gramatika e toskërishtes është më e rregullt se ajo e gegërishtes. Por dobësia e torskërishtes është formimi i gjuhës me “për të mësuar”” ose “të mësoj/të mësosh/të mësojmë” etj. “Dua me mësue” është frazë logjike, “dua të mësoj” nuk është me atë kuptim të përgjithshëm. Dhe gjuhëtarët të cilët morën vendimet sikur vepronin me magji: E kanë prerë pemën duke lënë degët të varura në ajër”! “Për të mësuar” është shprehje e cila duhet të kishte përdorim të kufizuar. Shemubull: :”Për të mësuar mirë gjuhën shqipe duhet shumë punë-” Por “Dua me mësue gjuhën shqipe”, jo “Dua për të mësuar gjuhën shqipe”……Magji, u zhduk baza “me mësue”, ndërsa “i mësueshem, i pranueshem, i kuptueshëm” janë degët e foljes “me mësue, me pranue, me kuptue”! Janë mbetur pa bazë në gjuhën e njësuar!!
Do të dëshiroja një ndeqje gabimi në këtë rast. Sepse gjuha e njësuar duhet të forcohet, por si të forcohet me të meta!?
Më mirë të lejohen të dy format “për të mësuar” edhe “me mësue” sepse nuk prishet gjuha me modifikime dhe dy forma gramatikore me përdorim paralelisht. Njerëzit e jugut të Shqipërisë kanë nevojë “me mësue edhe me shfrytëzue” këte formë gramatikore, sepse në atë rast do të përfitojnë!
Më në fund desha të rekomandoj dy forma të drejtshkrimit për emrat vetjakë. Vili Kamsi, intelektual shkodran, në diskutimet rreth gjuhës së njësuar, propozoi që të shkruajmë emrat personalë të huaj me formën origjinale në kllapa. Shembull: Uinston Çërçil (Winston Churchill). Tani kam vënë re se shqiptarët kanë vepruar në Internet kështu që kur njeriu shkruan këtë emër sipas drejtëshrimit shqip e gjen të dhëna për ketë burrë shteti pa probleme,
Nga ana tjetër, në botën elektronike.digjitale, më mirë të përdorim emrat origjinalë. Vili Kamsi, njeri largpames, sigurisht kuptoi se kur shqiptarët kanë mësuar anglishten dhe janë mësuar me emrat e huaj, mund të respektojnë emrat origjinalë të njerëzve.
Jam i interesuar të lexoj komentet tuaja në lidhje me këto çështje gjuhësore me rëndësi.