Aktorët që kanë nënshtetësi amerikane por kanë zgjedhur Kosovën të punojnë në të dhe për të

0
1013

Aktori Armend Baloku dhe Vlora Nikçi në emisionin Oxygen kanë treguar për projektet e tyre të fundit.

Ata tregojnë se aktualisht po punojnë në shfaqjen “Bisha në hënë” që u kushtohet grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Duke treguar detajet e shfaqjes, e cila është në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ata shpjegojnë se këtë punë e bëjnë me vetiniciativë.

Baloku thotë se që kur bënë një punë përkushtohet në të, dhe sipas tij, nëse e bëni punën që e doni, atëherë nuk lodheni asnjëherë.

“Jetoni jetën pa komplekse. Jetoni lirinë. Unë kur kam shku në Amerikë më ka pengu liria e tyre. Unë vazhdoj me qenë me komplekse, krejt artistët janë njëlloj, veçanërisht aktorët. Por, në Amerikë i kam pa duke punuar shumë, shumë më shumë se ne. Te ne liria na është ndaluar që në shtëpi, mos qesh shumë, mos qaj shumë. Kjo është gabim. Nuk duhet të keni komplekse pse gaboni, me rëndësi me punu dhe s’ka lidhje a gaboni”, thotë Baloku.

“E kemi ba shfaqjen bashkë, në 20 vjetorin e çlirimit. Të gjithë aktorët mezi kanë pritur me realizu shfaqjen. Unë në shfaqje kam fustanin e një gruaje me të cilin ka qenë kur e kanë dhunuar serbët. Ndërsa Armendi e përdor pallton e bashkëshortit të Ferdonije Qerkezit, gruas që i janë vrarë dhe zhdukur gjithë burrat e familjes. Ferdonija e ka kuptuar rëndësinë e shfaqjes. Pjesë e shfaqjes është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, bashkëmoshatare e imja, nuk është aktore, por si një fisnike e madhe ajo del në skenë dhe jep mesazhin e saj për të gjitha gratë që e kanë atë dhimbje. Qëllim kemi që këtë shfaqje ta dërgojmë gjithandej botës”, thotë Nikçi.

Nikçi ka treguar edhe për librin e saj që e ka botuar së fundmi “Kangë popullore erotike”, ku thotë se erotika është art e jo pornografi.

Ajo thotë se nuk kanë qenë në dijeni që nuk ka pasur materiale të tilla deri më tani në vendin tonë dhe se ka vërejtur që profesionistët kanë pasur shumë nevojë për të.

“Jemi rritur me kangë erotike. Gjyshja ime dhe gjyshi i thonin njëri një rresht tjetri një tjetër. Unë mendoja që është krejt natyrale. Secili prej nesh e ka një gjyshe ose gjysh që i këndon apo ka kënduar ato. Fillova me i mbledh për vete, me i kujtu gjyshërit. Me kalimin e kohës duke u pjekur si aktore, duke e përjetuar dashurinë, erotikën, i pash ndryshe ato kangë, edhe fillova me i nda me kolegët e mi. Pse me marr nga të huajt kur i kemi tonat. Të gjithë u befasonin”, thotë ajo.

Ajo ka shpjeguar edhe ilustrimet, që thotë se qëllimisht i kanë bërë me veshje kombëtare, për të treguar anën e bukur të shqiptarit që i ka kënduar gruas shumë e shumë vargje gruas, madje sipas saj, ato kangë janë kënduar edhe nga vet gratë.

“Në këtë libër kemi të bëjmë më diçka autoktone. Secila pikturë është ilustrim i veçantë për atë kangë. Artan Hajrulahu i ka punu. Me këtë libër mundemi me pa cila ka qenë erotika jonë, mundemi me ba kangë, poezi e edhe filma. Këto tema na identifikojnë shumë bukur, e këto tema nuk na lejojnë me u ba pornografi sikur që po shohim në televizione sepse e mësojmë çka është e mira”, thotë Nikçi.

Çifti kanë një fëmijë, mbajnë në ueb faqe pikpress.com që i kushtohet kulturës si dhe menaxhojnë një biznes në Rugovë – N’mal./Oxygenpress.info