Ai formuloi dy ligje për elektrolizën, të quajtura me emrin e tij,me këto ligje janë vendosur themelet në elektrokimi

0
156

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 23 me radhë e ka Majkëll Faradein.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XXIII- Majkëll Faradei
(1792-1867)

Jetojmë në shekullin e elektricitetit. Ndonjë, shekullin tonë e quan kozmik, ose shekullin e atomit, megjithatë fluturimet kozmike dhe armët atomike, pavarësisht nga rëndësia e tyre e madhe, kanë përmasa më të vogla ndikimi në jetën e përditshme. Ndërsa mjetet elektrike i shfrytëzojmë vazhdimisht. Mund të thuhet se asnjë arritje tjetër teknike nuk ka lulëzuar aq dukshëm dhe nuk është përfshirë aq gjerë në jetën bashkëkohore se elektriciteti.

Në studimin dhe arritjet e elektricitetit kanë dhënë ndihmesën e tyre një numër i madh shkencëtarësh. Ndër më të njohurit janë: Sharl Ogist de Kulon, Aleksandër Volta, Hans Kristian Ersted dhe Andrea Mari Amper. Por mbi të gjithë këta shquhen dy shkencëtarët britanikë, Majkëll Faradei dhe Xhejms Klark Maksvell. Punimet e tyre në disa vende plotësojnë njëri-tjetrin edhe pse ata nuk kanë bashkëpunuar kurrë me njëri-tjetrin.

Majkëll Faradei u lind në Njuton të Anglisë në vitin 1791. Rridhte nga një familje e varfër. Në masën më të madhe të kulturës së tij, ishte autodidakt. Në moshën 14-vjeçare punoi si çirak në një libërlidhje, mjedis që e shfrytëzoi intensivisht për të lexuar. Në moshën 20-vjeçare mori pjesë në leksionet që dha shkencëtari i njohur anglez, Hamfri Dejvi, ku u entuziazmua shumë nga ato. Ndaj, iu drejtua me një letër që të bëhej ndihmës i tij. Dhe u bë. Pas disa vitesh, filloi të merrej vetë me zbulime. Edhe pse nuk kishte përgatitjen e duhur matematike, si fizikan eksperimentator ai u bë i paarritshëm.

Zbulimi i parë i rëndësishëm i tij lidhur me elektricitetin ndodhi në vitin 1821.Dy vjet para kësaj, Erstedi kishte regjistruar se shigjeta në busullën e zakonshme magnetike zhvendosej kur pranë saj qëndronte përcjellësi elektrik. Kjo e shpuri Faradein në mendimin se në qoftë se magneti qëndron pa lëvizur, atëherë do të lëvizë përcjellësi. Duke u kapur pas kësaj ideje, ai arriti të ndërtonte me sukses veglën, përcjellësi i të cilit vërtitej pa u shkëputur në afërsi të magnetit, duke prodhuar energji elektrike. Në këtë mënyrë, Faradei përpunoi elektromotorin e parë, me të cilin rryma elektrike shfrytëzohet për lëvizjen e një trupi. Edhe pse primitive, vepra e prodhuar ishte pararendëse e elektromotorëve që përdoren sot. Ky ishte një sukses i madh, por shfrytëzimi i këtij zbulimi ishte i kufizuar, pasi nuk kishte mënyrë tjetër për prodhimin e rrymës elektrike, veçse me bateritë e para kimike të atëhershme. Megjithatë,Faradei ishte bindur në ekzistencën e ndonjë mënyre për shfrytëzimin e magnetizmit për prodhimin e rrymës elektrike. Ndaj, vazhdoi ta kërkonte atë mënyrë. Ai kuptoi, se magneti i palëvizshëm nuk prodhonte rrymë elektrike në një përcjellës të afërt. Në vitin 1831, zbuloi se në qoftë se në një unazë teli alumini vendosej një magnet lëvizës, atëherë në unazë rridhte rrymë elektrike. Ky efekt njhet si induksioni elektromagnetik, ndërsa zbulimi i ligjit, që i nënshtrohej këtij efekti, është arritja më e madhe e Faradeit.

Kjo arritje është monumentale për dy arsye: Së pari, ligji ka rëndësi themelore për kuptimin teorik të elektromagnetizmit. Dhe së dyti, induksioni elektromagnetik mund të shfrytëzohet vazhdimisht për prodhimin e rrymës elektrike, gjë që Faradei e demonstroi me ndërtimin e dinamos së parë. Gjeneratorët bashkëkohorë, që u çojnë rrymën elektrike qyteteve dhe fabrikave, megjithëse janë shumë më të përsosur nga ato të kohës së Faradeit, bazohen në të njëjtin parim, në induksionin elektromagnetik. Faradei ka merita edhe në fushën e kimisë. Ai ka gjetur metodën për shndërrimin e gazeve në gjendje të lëngshme dhe ka zbuluar bashkime të ndryshme kimike, midis të cilëve edhe benzolin.Rëndësi të madhe kanë studimet e tij në sferën e elektrokimisë, veçanërisht të shndërrimit të efekteve kimike me rrymë elektrike . Falë eksperimenteve të kujdesshme, Faradei formuloi dy ligje për elektrolizën, të quajtura me emrin e tij. Me këto ligje janë vendosur themelet në elektrokimi. Krahas këtyre, edhe terminologjia bazë në këtë fushë rrjedh nga Faradei, si : anoda, katoda, elektroda dhe joni. Në fizikë, Faradei solli kuptimin bazë të magneteve dhe linjave elektro-energjetike. Duke vlerësuar jo rolin e magneteve, por fushën midis tyre, ai hapi rrugën për një varg zbulimesh në fushën e fizikës bashkëkohore, midis të cilave janë edhe ekuacionet e Maksvellit. Gjithashtu, Faradei zbuloi hipotezën :”Përderisa drita e polarizuar kalon përmes fushës magnetike, polarizimi i saj do të pësojë ndryshime”. Ky zbulim është i rëndësishëm për faktin se vërtetoi për herë të parë me prova lidhjen e dritës me magnetizmin. Faradei ishte me të vërtetë njeri shumë i mirë dhe shumë i zgjuar. Si ligjërues për probleme shkencore, gëzoi një popullaritet të madh. Ishte jashtëzakonisht i thjeshtë dhe gjakftohtë, mospërfillës ndaj lavdisë, nderimeve dhe parave. Ai kundërshtoi çdo titull që iu propuzua. Nuk pranoi të bëhej as kryetar i Shoqatës Mbretërore të Shkencave Britanike. Kaloi një jetë bashkëshortore të gjatë e me fat, por nuk pati fëmijë. Vdiq në afërsi të Londrës në vitin 1867.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.
Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Xhejms Klark Maksvell.