Afganistan: Sulm në Universitetin e Kabulit nga persona të armatosur të ISIS

0
106

Të paktën 22 njerëz u vranë dhe 22 u plagosën pasi persona të armatosur të lidhur me Shtetin Islamik sulmuan Universitetin e Kabulit, i cili gjatë asaj kohe po zhvillonte një panair libri, ku mori pjesë edhe ambasadori i Iranit në Afganistan.

Personat e armatosur morën peng dhe luftuan me armë me forcat e sigurisë për më shumë se pesë orë.

Qeveria afgane, pas sulmit, e ka shpallur të martën, 3 nëntor, një ditë zie kombëtare.

Tre sulmues qëlluan në drejtim të studentëve që po iknin dhe vranë të tjerët në klasat e tyre në atë që është sulmi i dytë ndaj një institucioni arsimor në vend, në javët e fundit.

Të armatosurit u qëlluan për vdekje nga forcat afgane të sigurisë, thanë autoritetet.

Të hënën në mbrëmje, Isis mori përgjegjësinë për sulmin, duke pretenduar se kishte shënjestruar një “mbledhje për gjykatës dhe hetues të qeverisë afgane”.

Sulmi filloi me një shpërthim në portat e universitetit menjëherë pas orës 11 të mëngjesit, ditën e hënë. Qindra studentë u larguan, por shumë të tjerë mbetën të bllokuar brenda.

Fotot e shpërndara nga një zyrtar i lartë i qeverisë tregonin viktimat, studentë të shtrirë në klasa, disa pranë librave të tyre.

Ahman Samim, dëshmitar, student në universitet, u tha gazetarëve se ai pa militantë të armatosur me pistoleta dhe armë kallashnikov që qëllonin në shkollë, më e vjetra e vendit me rreth 22.000 studentë.

“Zot më jep durim, shokët e mi të shkollës martirizohen dhe plagosen para syve të mi dhe unë merrem peng”, shkroi një student, Qaseem Kohestani, në Facebook.

Disa orë pasi forcat e sigurisë vranë sulmuesit, të afërmit e studentëve brenda ishin ende në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre.

“Po telefonoj djalin tim që kur filloi sulmi. Telefoni i tij bie por nuk ka përgjigje”, i tha një burrë televizionit lokal. “Ai më dërgoi vetëm një mesazh në minutat e para duke thënë se ishte në një vend të keq dhe nuk mund të përgjigjej.”

Grupi afgan i Isis është tepër i fortë dhe ka aftësinë për të kryer sulme të profilit të lartë në vend, duke përfshirë një sulm ndaj një materniteti në muajin maj përsëri në Kabul me pothuajse aspak ndëshkueshmëri.

Është ende e paqartë nëse diplomati i lartë i Iranit në Afganistan ishte shënjestra e sulmit të së hënës.

Ndërkohë, edhe shkollat kanë qenë në shënjestër të sulmeve në të kaluarën. Vitin e kaluar, një bombë jashtë portave të Universitetit të Kabulit vrau tetë njerëz. Në vitin 2016, persona të armatosur sulmuan Universitetin Amerikan në Kabul, duke vrarë 13 persona.

Dhuna ka qenë e pamëshirshme në Afganistan, edhe pse Talibanët dhe një ekip negociator i caktuar nga qeveria diskutojnë marrëveshjen e paqes për t’i dhënë fund më shumë se katër dekadave luftë në vend.

Një marrëveshje e SHBA-së me Talibanët në shkurt vendosi bazën për bisedimet e paqes. Marrëveshja lejon gjithashtu tërheqjen e trupave të SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani.

Burimi: The Guardian, Reuters, Anabel