Adriano, Perandori që nuk e sundoi vetveten

0
226

Janë të njohura shumë raste kur futbollistët i shpërdorojnë mundësitë e tyre dhe, përkundër talentit të jashtëzakonshëm që e kanë, ata përfundojnë keq.

Adriano Leite Ribeiro, i njohur si Perandori, kishte gjithçka: pushtet, teknikë, forcë. Por historia, siç e dimë, shkroi një fund tjetër. Një histori që ish-sulmuesi i Interit e tregon në një intervistë me DAZN:

“Unë e di që kam qenë i fortë dhe mund të bëja gjëra të rëndësishme në fushën e blertë. Më shumë e kuptova këtë gjë në Itali, tek Interi. Mbaj mend fillimet aty, teksa i shihja me habi të gjithë në dhomën e zhveshjes; Seedorf, Materazzi… Unë, gjithashtu, kujtoj Ronaldon. Ai më mirëpriti, madje më ftoi edhe në shtëpi. Fillimisht jetova në hotel, pastaj më pyeti nëse doja të shkoja në shtëpinë e tij të bukur”.

Pra, shumë momente për t’u kujtuar, të bukura dhe të diskutueshme. Interi, në të cilin Adriano ka luajtur dhe ka shënuar, mbetet një nga ekipet më të forta të të gjitha kohërave. Nga atje ka lindur baza, që do të formonte Interin e kurorës së trefishtë. “Në nivelin sportiv kam përjetuar ndryshime të paharrueshme. Kam provuar një standard tjetër jetese. Zanetti ishte shembull, më i rëndësishmi, gjithmonë pranë meje, sidomos kur më vdiq babai. Presidenti Moratti, asokohe më ndihmoi shumë, si një baba i vërtetë. Unë gjithmonë do ta falënderoj atë për gjithçka që ka bërë për mua. Edhe familjen e tij. Sa herë që flas për të, bëhem emocional. Ai ka qenë si një baba për të gjithë”.

Një vëmendje e detyrueshme për José Mourinhon, pavarësisht faktit se aventura e Adrianos tek Interi u ndërpre nën udhëheqjen e tij: “Kur mbërriti Mourinho, unë mund të shkoja te Manchester City, por më kërkoi të mos dorëzohesha. Ai donte të më shihte dhe të bisedonte me mua. Ishte një trajner shumë i rëndësishëm për mua. Në ato vite, përveç Manchester Cityt, ishte duke më kërkuar edhe Chelsea, në periudhën kur u largova nga Parma, por zgjodha Interin. Dhe pastaj, disa muaj më vonë, Real Madridi më kërkoi, por nuk shkova”.

Po si ndihet tani Adriano? Perandori nënvizon: “Tani jam mirë, jam në Brazil, në Rio, me familjen dhe miqtë e mi. Bëj një jetë normale. Nëse do të ketë një mundësi për t’u kthyer në futboll, unë do të jem aty, por vetëm në Brazil, sepse nuk dua të jem larg nga familja ime. Tani kam tre fëmijë. Në Brazil do të kthehesha për të luajtur”.

Adriano ka pasur periudha kur ka bërë jetë të shthurur, ndërsa ishte në drpresion të thellë kur i vdiq babai./OxygenPress.info